Taho: Edhe një trajner vlonjat mund të bënte mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2018 | 14:07

Taho: Edhe një trajner vlonjat mund të bënte mirë

Rapo Taho mendon se emërimi i Ilir Dajës në krye të Flamurtarit ishte zgjedhje e duhur. Megjithatë, ai ka bindjen se edhe një trajner vlonjat do të bënte mirë te kuqezinjtë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ai vlerëson eksperiencën e “timonierit” të ri dhe shpreson që të vijojë me rrugën e trofeve edhe në Vlorë.

Rrapo Taho

“Për mua është bërë zgjedhja më e mirë për stolin. Jam dakord që u emërua pikërisht Ilir Daja trajner i Flamurtarit. Nuk është problem se Vlora nuk ka trajnerë. Më vjen sa mirë aq edhe keq, pasi nuk është se qyteti ynë s’ka trajnerë. Përkundrazi, ka shumë, por nuk dua të përmend emra. Një trajner vlonjat ndoshta do ta bënte punën më mirë. Megjithatë, Daja vjen me eksperiencë dhe nga ekipi më i mirë. Fakti që vjen si kampion, më bën që ta them me bindje se është bërë një zgjedhje shumë e mirë”, u shpreh fillimisht Taho gjatë fjalës së tij.

MERKATO – Ish-trajneri e ka “merakun” te merkatoja, ndaj paralajmëron se nuk duhet të gabohet në këtë drejtim. Ai evidenton se duhet të afrohen lojtarë që të bëjnë diferencën, pasi sipas tij Flamurtari ka çeduar çdo vit në merkato.

flamurtari

“Daja është zgjedhja më e mirë dhe duhet t’i jepet dorë e lirë në merkato, por nuk duhet të gabojë ashtu sikundër ne kemi bërë gjithmonë me afrimet. Doja që të këtë kontingjent më shumë nga djemtë e Vlorës. Presidenti nuk duhet të mendojë gjithmonë që duhet të kapë majat. Nëse ka lojtarë vendës, do të ketë edhe më shumë sukses dhe përgjegjësi brenda ekipit. Duhet t’u jepet më shumë prioritet lojtarëve të rinj. Flamurtari ka gabuar me merkaton çdo vit dhe kjo është shfaqur në katër fazat që janë zhvilluar. Kështu ka ndodhur edhe këtë sezon që u mbyll. Gjatë merkatos kanë ardhur lojtarë që nuk kanë bërë diferencën me lojtarët që kanë qenë. Ka lojtarë që duhen mbajtur nga grupi aktual. Trajnerët mendojnë vetëm për tashmen dhe kohën që kanë në dispozicion.

Taho

Daja duhet mendojë për perspektivën, për të pasur një projekt sa më afatgjatë. Nuk jemi kundër lojtarëve që do sjellë trajneri, por të jenë futbollistë që të bëjnë diferencën”, tha Taho.

OBJEKTIVI – Ish-futbollisti i shquar shpreson që të shmanget ajo që ka ndodhur rëndom, dalja e shpejtë nga objektivat. “Do të ketë objektiva, por nuk duhet të dalin jashtë tyre. Pasi kemi premtuar Kupën e Shqipërisë, Kupat e Europës, titullin kampion dhe kemi qenë subjektivë, gjithmonë nuk kemi arritur gjë. Këtë herë duhet që të jemi më me këmbë në tokë”, përfundoi Taho. Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"