TABELA/ Statistikat, Kukësi rrallë herë gabon në javën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2021 | 16:58

TABELA/ Statistikat, Kukësi rrallë herë gabon në javën e parë

Më 11 shtator Kukësi hyn zyrtarisht në vitin e dhjetë në Superiore, një dekadë e mbushur kryesisht me arritje në krahasim me dështimet. Një titull kampion dhe gjashtë herë nënkampion në nëntë sezone tregon për një skuadër konstante që gjithnjë ka qenë në majë të Superiores.

kukesiii

Edhe këtë sezon, verilindorët shpresojnë të jenë po në këto nivele dhe të lënë pas dështimin e vitit të kaluar. Thuhet shpesh se fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe në Kukës duan ta nisin me fitore sfidën e parë në kampionat, atë ndaj Egnatias në transfertë. “Panorama Sport” i ka bërë një skaner startit të Kukësit në nëntë vitet e Superiores dhe mund të thuhet se bilanci është pozitiv: 4 fitore, 3 barazime dhe dy humbje. Bie në sy se të dyja humbjet e vetme kanë ardhur pikërisht në ndeshje transferte, siç është edhe përballja e këtij sezoni.

STARTI – Në ndeshjen hapëse verilindorët do të kenë përballë një kundërshtar që këtë sezon është ngjitur në Superiore, siç është Egnatia. Në letër duket një rival i kalueshëm, ndonëse bëhet fjalë për një kundërshtar “të panjohur”, i cili njëkohësisht ka bërë shumë ndryshime nga sezoni i kaluar në Kategorinë e Parë. Historia, edhe pse në ndeshjet hapëse të Kukësit në Superiore flet në favor të tyre, nuk është e tillë sa u përket transfertave, me bilancin që është negativ.

tabela kukesi

Dhe, për këtë sezon ekipi i Longos e hap siparin me një ndeshje larg shtëpisë. Kështu, në katër përballjet e para të këtyre nëntë viteve në transfertë, verilindorët kanë humbur në dy (Lushnja, Tirana), barazuar një (Vllaznia) dhe fituar një (Vllaznia). Ndaj Egnatias mbetet e gjitha për t’u parë dhe shihet si një test i rëndësishëm edhe për ecurinë e tyre në kampionat. Gjithsesi, në total bilanci i ndeshjeve të para është pozitiv dhe ky fakt e ngroh disi skuadrën, e cila do të përpiqet ta nisë me këmbën e mbarë sezonin, ku pretendimet janë sigurisht të mëdha.

TRAJNERI – Kukësi u rikthye ditën e djeshme në Shqipëri, pas mbylljes dyjavore të fazës përgatitore në Slloveni. Ka qenë vetë trajneri Diego Longo, i cili ka shprehur kënaqësinë e tij për këtë fazë, nga ku duket se ia ka arritur qëllimit për të bashkuar grupin e për të qenë të gatshëm për startin e sezonit. Ai ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale, duke pohuar se ekipi ka pësuar rritje gjatë këtyre 15 ditëve. “Pas 15 ditësh rikthehemi në shtëpi.

Djemtë kanë bërë një punë të madhe. Janë rritur në aspektin individual, por mbi të gjitha si grup, të cilët tani janë vërtet të fortë dhe të bashkuar. Jam shumë i kënaqur për këta djem dhe për të gjithë stafin”, u shpreh Longo në rrjetet sociale, i cili, me sa duket, tani e ka krijuar një ide më të qartë rreth kualiteteve të çdo lojtari që ka në dispozicion dhe nuk fsheh kënaqësinë për punën e bërë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"