“Ta meritojnë ose të ikin”, trajneri i njohur shpërthen ndaj lojtarëve të stolit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2019 | 17:29

“Ta meritojnë ose të ikin”, trajneri i njohur shpërthen ndaj lojtarëve të stolit

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, në një prononcim enkas për “Panorama Sport”, thotë se ndihet optimist një javë para fillimit të kampionatit. Megjithatë, pas miqësores me Besën trajneri lushnjar ishte kritik për futbollistët e aktivizuar në pjesën e dytë, pasi gjykon se ata toleruan në lojë, ndoshta pasi mendojnë se u është ngrënë haku.

gjyla

“Mendoj se skuadra është e kompletuar dhe patjetër që jemi optimistë. Kemi Sulkjen dhe Ibrahimajn që do t’i bashkohen grupit në stërvitje. Për miqësoren me Besën do të thosha se ka momente që lëshojmë në lojë dhe kur përfundoi pjesa e parë, këtë i thashë skuadrës. Nuk duhet lëshuar as në ndeshje kontrolli dhe ndeshje miqësore. Gjithsesi, e rëndësishme është që kemi bërë hapa pozitivë. Edhe një javë dhe kompletohemi 100%.

Futbollistët ruhen para nisjes së kampionatit. Ne i kemi çuar në atë gjendje, që 100%-in ta marrim javën e fundit dhe drejt asaj jemi. Për pjesën e dytë, pas ndërrimeve, pashë se ka futbollistë që neglizhojnë. Pati edhe nga ata që e “lanë” lojën dhe nuk e di pse ndodh kjo. Nëse mendojnë që u është ngrënë haku diku apo jo, e kanë gabim. Duhet të luajnë dhe ta meritojnë vendin. Ta zënë vendin me meritë, sepse përndryshe do të zhduken fare.

Ai futbollist që nuk ka qejf të rrijë në stol të Lushnjës, atëherë të largohet nga Lushnja. Po e them për gazetën tuaj dhe publikisht, le të largohen dhe të mos rrinë më te Lushnja. Jam mësuar, nuk e kam problem. U mësova vitin e kaluar kur kisha 4 futbollistë dhe e shtyva kampionatin, jo me 17 futbollistë që kam sivjet. Kush të dojë të rrijë me Lushnjën, le të rrijë ashtu siç e meriton”, deklaroi trajneri Gjyla.

PROBLEMI – Merkatoja e ka plotësuar skuadrën, por për trajnerin lushnjar është problem fakti që prej vitesh nuk vijnë lojtarë nga moshat. “Unë ngul këmbë dhe them se, ndonëse kanë ikur 2-3 futbollistë, te Lushnja ka futbollistë akoma. E dini çfarë do të thotë që për 10 vjet të mos ketë prurje nga ekipi i të rinjve të Lushnjë?

Për 10 vjet është marrë vetëm Ledion Ruço, që e kam afruar unë nga të rinjtë. Kemi Rediol Ademin, të cilin e kam afruar vitin e kaluar dhe Endi Gjylën që e kam afruar sivjet. Është vakuum i madh. Nëse e kemi këtë skuadër sot, e kemi sepse është kompletuar nga jashtë”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"