Ta dënojmë Flamurtarin për borxhe apo për blasfemi ndaj “Zotit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2017 | 19:30

Ta dënojmë Flamurtarin për borxhe apo për blasfemi ndaj “Zotit”

GËZIM SINEMATI

 

Gezim SinematiVlora nuk është qyteti ideal për të marrë dhurata nëpërmjet futbollit, sepse topi për vlonjatët, në tërë këto vite, ka qenë sebepi për të provuar tradhti nga brenda dhe nga jashtë familjes. Sidoqoftë, një dhuratë e tentuar vite të shkuara, tingëllon aktuale edhe në ditët e sotme, kur Flamurtari nuk tradhtohet më në garën për titull, si në kohën e Gjikës, por për të thyer kokën në luftën për mbijetesë.

Le të kujtojmë një ditë fatlume, mund të ketë qenë edhe hera e fundit kur presidenti Duka ka vënë këmbën në stadiumin rebel, kur Gjika i ka dhuruar mikut një “perlë” të vogël, por me kuptim të madh. Dialogu mbetet i freskët dhe është futur me meritë në kujtesë, madje sa më shumë kohë kalon duket sikur fiton edhe më shumë vlerë.

Presidenti Duka: “Në gjithë këto vite që jam në krye të futbollit, nuk e kam pasur zakon të marr dhurata. Zoti Gjika, kjo nuk është në stilin tim…”.

Shpëtim Gjika: “Vlora nuk gabon kur bën dhuratë. Janë një palë tapa veshësh, do t’i vini në stadium dhe të mos dëgjoni sharjet e tifozëve, të cilët kanë kohë që luteshin për praninë tuaj…”.

Atëherë, Flamurtari tradhtohej në garën për titull, ndërsa në kohën “moderne” të Sinan Idrizit ndëshkohet ekipi në emër të borxheve të kaluara, edhe pse Superiorja është një minierë e pasur me borxhe, të cilat tunden e shkunden sipas një kodi që e di vetëm pronari që mban listën e tyre.

Ashtu si në burg, ku fiton ditë lirie duke u sjellë me përulje, edhe në “burgun” e maskuar me top dhe me trofe të porositur, të dënuarit përfitojnë falje të borxheve kur gjunjëzohen para “mbretit”. Madje u duket si një bamirës kampion, të cilit i falet edhe tredhja që i bën lojës, edhe trukimi që i bën fituesit, sepse po harxhon qimet e kokës për të mbajtur gjallë një lojë pazari që nuk njeh kufi.

Një e vërtetë që e dinë të gjithë në Vlorë, e pranojnë ta thotë edhe vlonjati në fundin e autobusit, por vetëm Sinani të mbyllë gojën, sepse ai përgjohet, kurse Flamurtari dënohet! Aq sa këto ditë me diell të fortë sipër kokës dëgjon një shpjegim që të freskon nga vapa: “Ishalla na heqin 6 pikë, vetëm gojën mos na heqin…”.

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"