“Ta bëjmë Mehmetin me dhimbje koke”, Kallaku  shpjegon “shkëndijat” me trajnerin e Partizanit: Nuk kam asgjë kundër tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2022 | 12:38


“Ta bëjmë Mehmetin me dhimbje koke”, Kallaku  shpjegon “shkëndijat” me trajnerin e Partizanit: Nuk kam asgjë kundër tij

Sherif Kallaku ka konfirmuar sot para mediave se ai kishte bërë autokritikë para skuadrës për polemikat pas zëvendësimit të tij. Fantazisti i Partizanit thekoi se priste më shumë nga vetja dhe gjesti nuk kishte qenë kundër trajnerit Mehmeti, të cilin e vlerësoi publikisht për atë që po bënte te të kuqtë.

kallaku

“Të them të drejtën, që në ditën e parë kam ndjerë ngrohtësi nga shokët dhe në aspektin personal nuk e kam pritur se që të ingranohesha në janar është pak më e vështirë. Jam shumë i lumtur që kam gjetur djem fantastikë dhe shpresoj të vazhdoj e të tregojmë më të mirën siç po bëjmë.

Edhe profesor Mehmeti ka ardhur si unë në janar. Jo për t’i bërë qejfin, por cilindo trajner të ishte, ne duhet të përshtatemi me trajnerin, duhet ta bëjmë të ndjehet komod, ta vëmë në vështirësi trajnerin e që të ketë dhimbje koke kë të fusë në formacion. Ai është trajner shumë i mirë dhe shpresoj të vahdojmë të kemi rezultate pozitive me të.

Reagimi pas zëvendësimit? Unë kam bërë një autokritikë dhe i kam kërkuar falje skuadrës. Ishte nga egoja ime, nuk kam asgjë me trajnerin dhe djemtë, nuk do të ndodhë më nga unë.

Shpresoj që të jemi me shans nesër dhe ta thyejmë këtë “macen e zezë”. Duhet të them që Partizani ka zhvilluar shumë ndeshje të mira, por do të jetë një ndeshje e ndryshme nesër. Nuk do të jap premtime për fitoren, por shpresoj që të japim 100% tonë.

Nuk i trembemi askujt sepse edhe nga eksperienca ime te Teuta, e kam thënë që ekipet më të vështira janë ato që janë në letër me të vogla. Dhe gjithmonë janë lënë pikët me ekipet më të vogla. Nesër shpresojmë që të marrim fitoren e parë që nuk e kemi marrë ende me skuadrat e vendeve të para, kam shumë besim që do e marrim.

Unë vij nga një qytezë si Fushë Kruja ku ka shumë tifozë të Partizanit. Si mund ti them jo Partizanit?

Tek Lokomotiva të them të drejtën kam kërkuar vetë huazimin dhe kam pasur tre takime me presidentin dhe të takimi i tretë mora aprovimin. E bëra për të mirën time, për të gjetur formën time. Mund ta gjeja edhe atje, por pse të luaja me shansin. U ktheva te Teuta për të ndihmuar, nëse e kam bërë apo jo, e di vetëm Teuta. Kjo ishte e gjitha

Mendoj se nuk kemi bërë ende asgjë te Partizani, edhe për veten time them që edhe unë nuk kam bërë asgjë. Shpresoj të ndihmoj sa më shumë ekipin dhe të gjejmë sa më shumë rezultate pozitive”, tha Kallaku para gazetarëve.

PANORAMASPORT.AL