“Ta bëjmë festë”, Omeri “djeg” Luzin: E mundim dhe futemi në gjashtëshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2023 | 22:57

“Ta bëjmë festë”, Omeri “djeg” Luzin: E mundim dhe futemi në gjashtëshe

Stefano Omeri llogarit vetëm fitore përballë Luzit 2008. Mesfushori beson jo vetëm te kapja e zonës “play off”, por edhe më shumë se kaq. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, autori i 4 golave tha:

Omeri

“Nuk jemi të qetë aspak, sepse ende nuk kemi siguruar asgjë. Vërtetë kemi marrë më shumë pikë gjatë fazës së dytë dhe dukshëm kemi pësuar rritje në lojë, po jemi larg pritshmërive. Rëndësi ka që jemi në garën e ethshme për një vend në zonën ‘play off’ dhe jam i bindur që do ta kapim. Kalendari më shumë se na ka favorizuar, na e shton përgjegjësinë.

Luajtëm me Besëlidhjen në shtëpi dhe tani presim Luzin. Kampionati është i paparashikueshëm dhe shumë interesant, sidomos në javët e fundit. Ti nuk di çfarë mund të ndodhë. Duhet të kuptojmë që nuk luajmë vetëm ne në fushë, por edhe kundërshtarët tanë. Ata po bëjnë mjaft mirë këtë sezon, ashtu si edhe ne që herë pas here kemi uljet dhe ngritjet tona.

Kemi respekt maksimal për kavajasit, por nuk do të na kënaqte asnjë rezultat tjetër përveç fitores. U bëj thirrje të vijnë në stadium dhe të na mbështesin fort në këtë ndeshje të rëndësishme. Kemi shumë nevojë për ta, jo vetëm për të na ngritur moralin, por edhe për ta kthyer në festë. Ata do të jenë lojtari i 12-të në këtë finale të parakohshme”, përfundoi 23- vjeçari.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"