Synojnë mbijetesën, flet mbrojtësi i Apolonisë: Meritojmë respekt, i kemi mundësitë ta ndalim Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 15:31

Synojnë mbijetesën, flet mbrojtësi i Apolonisë: Meritojmë respekt, i kemi mundësitë ta ndalim Laçin

Në kuadër të javës së 32-të, Apolonia do ta presë Laçin në “Loni Papuçiu”. Është një ndeshje ku fierakët pritet të luajnë pa presionin e rezultatit, por kjo nuk do të thotë se nuk do ta kërkojnë suksesin ndaj kurbinasve. Nën drejtimin e trajnerit Kamarata, Apolonia ka marrë 1 fitore dhe 1 barazim me Laçin, duke mos e njohur humbjen.

Sota6

Edhe në këtë përballje të fundit, bardhejeshilët do të kërkojnë një tjetër sukses. Qendërmbrojtësi Eljon Sota, futbollisti i vetëm fierak që i ka luajtur të plota 31 ndeshjet e kampionatit, mendon se Apolonia i ka të gjitha forcat dhe mundësitë për t’i ndalur kurbinasit. “Është një ndeshje e radhës që ne e luajmë në fushën tonë, këtë herë ndaj një kundërshtari të fortë, si Laçi, – thotë Sota. – Ne po e përgatisim me kujdes këtë ndeshje, pasi kemi synimet tona. Pavarësisht forcës së kundërshtarit dhe objektivave që ata kanë, Apolonia do të luajë për rezultat maksimal dhe mendoj se i kemi mundësitë për ta ndalur Laçin, më e pakta, të mos humbasim”.

RESPEKTI – Pozicioni në renditje dhe diferenca gati e parikuperueshme me rivalet më sipër në renditje, bën që Apolonia të quhet skuadër e Kategorisë së Parë për sezonin e ardhshëm, por mbrojtësi fierak kërkon më tepër respekt për ekipin e tij. “Kampionati ende nuk ka përfunduar dhe llogaritë na mbajnë ende në garë, edhe pse duket gati e pamundur, – vijon Sota. – Nuk është etike për asnjë skuadër të trajtohet kështu pa u mbyllur ende kampionati. Sidoqoftë, ajo që di me siguri, është që ne do të vazhdojmë të luajmë me të gjitha forcat gjer në sekondën e fundit të kampionatit, duke mos ia bërë të lehtë asnjë kundërshtari. Dhe këtë që them, do ta vërtetojmë në fushën e lojës”.

E ARDHMJA – Sotës i mbaron kontrata me Apoloninë në fund të këtij sezoni dhe për të janë të interesuara disa ekipe, me në krye kampionët e Tiranës, por futbollisti fierak është i prerë në qëndrimin e tij në lidhje me të ardhmen. “Është një pyetje që më bëhet gjithmonë dhe është kthyer gati në bezdisje. Flasim për aktualen, nuk ka mbaruar kampionati dhe unë jam ende lojtar i Apolonisë. Të ardhmen nuk e di dhe nuk mund ta parashikoj, është akoma larg”, u shpreh në fund për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi i Apolonisë, Eljon Sota.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"