“Synoj yllin e dytë dhe Champions-in me Milanin”, Tomori: Besuam që në fillim, sekreti i suksesit ishte…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 13:58

“Synoj yllin e dytë dhe Champions-in me Milanin”, Tomori: Besuam që në fillim, sekreti i suksesit ishte…

Një kupë bote për 20-vjeçarë dhe dy Champions-e për të njëjtën grupmoshë. Këto janë trofetë e vetëm që Fikajo Tomori kishte fituar në karrierën e tij përpara titullit me Milanin që është i pari në nivele elitare. 40 prezenca sezonale ndër të cilat 31 në Serinë A e bëjnë anglezin protagonist absolut në kampionatin e fituar me kuqezinjtë. Pikërisht 24- vjeçari i lindur në Kanada, ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit duke shpjeguar ndjesitë dhe momentet më të rëndësishme të sezonit me “Djallin”.

TOMORI

Cilat janë ndjesitë e këtyre ditëve?

Jemi një skuadër e fortë dhe më vjen mirë që e treguam. Jemi të gjithë shumë të lumtur. Janë gëzuar familjarët dhe miqtë tanë e ky titull ishte si dhuratë për të gjithë. Është një moment i bukur.

Meritë keni edhe ju mbrojtësit sepse e shndërruat Milanin në ekip hermetik apo jo?

Ka shumë rëndësi të pësosh pak gola. Nuk thonë kot që kampionatet fitohen me mbrojtje solide. Jam krenar që së bashku me shokët e ekipit bëmë të mundur të mos ndëshkoheshim më shumë se dy herë në 11 ndeshjet e fundit. Kuptohet, që duke mos u ndëshkuar bëhet më e lehtë edhe të fitosh më pas.

Mund të na tregoni si kanë shkuar këto ditë? Po çfarë të them?

Kam përjetuar shumë emocione. Më në fund arritëm të siguronim një objektiv, tek i cili besonim shumë e që e ndoqëm që nga fillimi i sezonit. Nuk e them dot me fjalë se sa i gëzuar jam për titullin tim të parë, megjithatë uroj të fitoj përsëri. Mund të them se të tilla ndjesi nuk i kisha provuar kurrë më parë.

Besoni se mund të jetë hapi i parë i një cikli fitues?

Po, sepse e kemi kuptuar se çfarë nevojitet për të fituar. Kemi ngritur një trofe dhe është e drejtë të festojmë së bashku me tifozët tanë. Në sezonin tjetër duhet të përmirësohemi, sidomos në Champions. Sidoqoftë, ylli i dytë në fanellë mbetet objektivi kryesor.

Cili është kori që kënduat më shpesh?

Jemi ne, jemi ne, kampionët e Italisë, jemi ne.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"