Synohet përmbysja në Kupë, trajneri i Kukësit ka gati kurthin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 18:56

Synohet përmbysja në Kupë, trajneri i Kukësit ka gati kurthin

Përmbysja e rezultatit në Kupë dhe kalimi në fazën tjetër të këtij kompeticioni është kthyer në një detyrim për Kukësin sepse do të konsiderohej i tepërt eliminimi që në 1/8-at. Kjo, edhe për faktin se përballë kanë një skuadër që në letër nuk qëndron më lart sesa ata, por që gjithsesi vijnë me avantazhin e dy golave në ndeshjen e kthimit.

DIEGO LONGO

Me shumë seriozitet e ka marrë së pari trajneri Diego Longo, i cili duket se ka bërë gati skemat për këtë ndeshje, të paktën teorikisht, sepse për të parë efikasitetin në praktikë, duhet të presim ditën e nesërme në Vlorë.

TRAJNERI
Thuajse të gjithë bashkëpunëtorët e tij te Kukësi, duke përfshirë edhe lojtarët, e cilësojnë italianin si një trajner që mendon 24 orë për futbollin dhe puna e tij nuk mbyllet vetëm me stërvitjen në fushë. Ish-ndihmësi i Mirçea Luçeskut studion shumë rreth futbollit, në mënyrë që t’u implementojë më pas edhe lojtarëve idetë e tij.

Për të treguar angazhimin që ka marrë nën drejtimin e verilindorëve dhe rutinën e tij të përditshme, dje në orët e para të mëngjesit Longo ka publikuar një postim në faqen e tij të “Facebook”- ut, ku krah një fotoje shkruan: “Mëngjesi italian: futboll dhe biskota”.

Një laptop, dy fletore me skema loje, disa biskota dhe një çaj duket se është rutina e tij e mëngjesit, që kur ka mbërritur te Kukësi. I vetëdijshëm se për të përmbysur Egnatian do t’i duhet një sforco e madhe dhe një ndeshje gati perfekte, italiani e merr me qetësi, teksa duket se ka bërë gati “kurthin”.

Pa dashur të zbulojë shumë se çfarë ka projektuar në letër, duket qartë se Longo po studion në detaje ndeshjen me Egnatian, me shpresën se do ta përmbysë humbjen 1-3 të sfidës së parë.

MESAZHI
Longo ka dhënë në këtë mënyrë edhe një mesazh të koduar për kundërshtarin, duke nënkuptuar se ndeshja e kthimit do të jetë tjetër histori, pasi në Kukës e kanë marrë seriozisht përmbysjen ndaj rrogozhinasve. Gjithsesi, presioni është i gjithi në kampin verilindor dhe një eliminim i hershëm nga Kupa mund të prishë ambientin e krijuar në këtë skuadër.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"