Synohet nga Kukësi, Lukiç: Jam në bisedime me disa ekipe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2016 | 15:20

Synohet nga Kukësi, Lukiç: Jam në bisedime me disa ekipe

Slavko Lukiç është në bisedime me Kukësin. Serbi është gati që të nisë një tjetër aventurë në Shqipëri dhe duket se pas Teutës destinacioni i ardhshëm mund të jetë Kukësi. Palët kanë zhvilluar bisedime fillestare, megjithatë është ende herët për të folur për akord. lukicGjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai sqaron kontrata e tij me durrsakët është drejt skadencës dhe për momentin është në shqyrtim të disa ofertave si në Superiore, ashtu edhe në Serbi e Maqedoni. I vetmi kusht që ai ka për ekipin e ri është Europa, pasi dëshira e Lukiçit është që të luajë në një ekip që do militojë në kompeticionet europiane.

“Ndodhem në Serbi me pushime, por njëherësh edhe po stërvitem që të mos humbas formën sportive. Për momentin jam lojtar i lirë dhe po studioj disa oferta që kanë ardhur në drejtimin tim. Janë disa skuadra që kanë shfaqur interes për mua, 2-3 janë nga Superiorja, por janë edhe disa ekipe nga Maqedonia dhe Serbia, të cilat marrin pjesë në Ligën e Kampionëve. Besoj në javën që vjen do të vendos rreth të ardhmes sime.

Nuk dua të jap emra skuadrash, pasi nuk mund të nënshkruaj me të gjitha (qesh). Vetëm me një do kem të drejtën që të firmos, ndaj nuk më duket etike që të bëj publike emrat e ekipeve. Kushti që kam për ekipin tim të ri, kushdo që të jetë, është Europa. Dhe deri më tani ekipet që kanë shfaqur interes për mua marrin pjesë në këto kompeticione.

Dua të uroj dhe skuadrën e Teutës për arritjen e objektivit, kemi zhvilluar një sezon fantastik dhe duhej të merrnim pjesë në Europa Ligue. I uroj të gjithë duke filluar nga presidenca e deri te lojtarët. Kam lexuar për largimin e Maganit dhe dua t’i uroj suksese në skuadrën e re”, përfundoi Lukiç.

Përgatiti: Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"