Synimet e Sadikut: Dua t’i shënoj Italisë dhe ta shpëtoj Luganon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2017 | 14:17

Synimet e Sadikut: Dua t’i shënoj Italisë dhe ta shpëtoj Luganon

Me tre gola të shënuar në katër ndeshjet e fundit, Armando Sadiku i ka dhënë Luganos shtatë pikë të çmuara në misionin për të luajtur edhe sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit zviceran. Sulmuesi kuqezi shprehet optimist për mbijetesën në një intervistë për “Konica.al”.

Sa i takon Kombëtares, bomberi elbasanas thotë se ekipi ynë mund të marrë pikë në ndeshjen e 24 marsit ndaj Italisë dhe se dëshira e tij është të shënojë në atë takim. 25-vjeçari flet edhe për marrëdhëniet me Paolo Tramexanin, ish-numrin dy të stolit të Shqipërisë me të cilin po punon te Lugano.

sadiku

Intervista

Mendoni se jeni çliruar plotësisht pas tre golave radhazi të shënuar, ndaj Grashoperit, Vaduzit dhe St.Gallenit?

Është normale që kur shkon me një ekip të ri të tregosh vlerat e tua. Për mua këto gola kanë qenë shumë të rëndësishëm, sepse e kam dëshmuar veten si sulmues dhe e kam ndihmuar edhe ekipin që të marrë rezultate pozitive.

Jeni shtatë pikë larg vendit të fundit. Mendoni se nuk do ta keni problem për ta shpëtuar Luganon?

Për momentin jemi mirë, në vendin e gjashtë, por në futboll asnjëherë nuk i dihet, sepse jemi afër me pikë. Vërtet jemi shtatë pikë para, por ka ende shumë ndeshje. Kemi akoma shumë punë për të bërë. Nuk ka mbaruar asnjë gjë, lufta për mbijetesë mbetet e hapur. Por premisat janë pozitive, sepse edhe ekipin e kemi të mirë dhe trajneri po bën një punë shumë të mirë.

Ndeshja e radhës me Kombëtaren është me Italinë. Si e shikon këtë ndeshje?

Është një ndeshje shumë e vështirë, një kundërshtar shumë i fortë, por ne e kemi treguar veten edhe ndaj kundërshtarëve të tillë. Do të shkojmë atje dhe do të bëjmë lojën tonë për të marrë maksimalen. Personalisht jam 100 për qind i karikuar dhe e kam me shumë dëshirë këtë takim, duke pasur parasysh se humba tri ndeshje për arsye dëmtimi. Do të jap më të mirën për të ndihmuar ekipin, pse jo, t’i shënoj edhe Italisë.

Sadiku-Tramexani

Dihet miqësia juaj me trajnerin Tramexani. A do ta ndjeni mungesën e tij te Kombëtarja, pavarësisht se ju e keni te Lugano?

Po, Paolo ka qenë një pikë referimi për të gjithë ne futbollistët e ekipit kombëtar dhe jo vetëm për mua. Ka qenë një motivues i madh, një shok, ku për çdo lloj problemi shkonim e flisnim me të, sepse e ndjenim veten më të lirshëm. Edhe me De Biazin, por misteri është mister dhe kemi pasur ngurrim. Pikërisht për gjërat tona fliste Paolo. Tani na ka ardhur një zëvendëstrajner i ri, por ne duhet të jemi grup, të vazhdojmë përpara dhe të kthehemi te rezultatet pozitive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"