Suta: Kam marrë oferta, por çoj në fund projektin e Lazes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 20:22

Suta: Kam marrë oferta, por çoj në fund projektin e Lazes

Elbasani është duke vijuar përgatitjet. Sezonin e rifillojnë me Adën, ndeshje që konsiderohet vendimtare për verdheblutë. Misioni mbetet ngjitja në Kategorinë e Parë, ndonëse pikët mungojnë. Për të realizuar objektivin, klubi është munduar që të përforcojë organikën. Janë afruar disa të huaj, por gjithsesi deri në fund priten të tjera lëvizje.

Suta

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Anxhelo Suta paralajmëron se nuk do të heqin dorë nga synimi që i kanë vënë vetes dhe këtë e sheh si detyrimi ndaj presidentit të ndjerë, Arben Laze. “Këtë edicion e kemi nisur me pretendimin për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, i cili ishte edhe synimi i presidentit Laze. Këtë synim do të përpiqemi ta çojmë përpara deri në fund dhe po bëjmë maksimumin për të afruar lojtarë gjatë kësaj merkatoje.

anxhelo suta

Jemi disi mbrapa me pikë, por ka ende shumë ndeshje dhe mjafton të bëjmë më të mirën tonë dhe të marrim rezultatet, pasi gjithçka mund të arrihet”, u shpreh fillimisht Suta. Ai zbulon edhe një prapaskenë merkatoje, ku ekipe të Kategorisë së Parë kanë bërë ofertë për të dhe Çapjen, por për hir të marrëdhënies që ka pasur me Arben Lazen, vendosi të qëndronte deri në fund me këtë skuadër.

“Kam pasur oferta nga ekipe të Kategorisë së Parë për të shkuar së bashku me ndihmësin, Hetlen Çapjen, por i kemi refuzuar. Nisëm një projekt me presidentin Laze dhe do të përpiqemi ta çojmë këtë deri në fund”, përfundoi tekniku elbasanas.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"