Suso beson te përmbysja, ja “receta” e spanjollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2018 | 18:08

Suso beson te përmbysja, ja “receta” e spanjollit

Ishte një nga ata që zhgënjyen në ndeshjen e parë, por për Suson, koha nuk premton për retrospektiva. Së bashku me trajnerin Xhenaro Gatuzo, spanjolli ishte i pranishëm në konferencën për shtyp në prag të sfidës së sotme ndaj Arsenalit. Mbi rivalin, sulmuesi shpenzoi vetëm fjalë të ëmbla, teksa tha: “Arsenali është një skuadër e bukur që luan një futboll me nivel. Siç u pa edhe në ndeshjen e parë janë shumë të rrezikshëm ndaj duhet të tregohemi tepër të vëmendshëm”.

suso

Ashtu si edhe trajneri i tij, Suso beson te kualifikimi, duke shprehur një këndvështrim të ngjashëm me atë të Gatuzos. “Nuk kemi asgjë për të humbur. Përqendrimi dhe vë- mendja jonë janë në nivelet maksimale gjithmonë, sidomos në stadiume si “Emirates”. Personalisht pata më shumë vështirësi për t’u përgatitur për sfidën ndaj Xhenoas në kampionat. Gabuam në ndeshjen e parë dhe kjo na penalizon, por aq shanse sa kemi do të mundohemi t’i shfrytëzojmë deri në fund”, deklaroi i sigurt spanjolli. Rezultati në tokën angleze duhet të kalojë vetëm nëpërmjet paraqitjes së ekipit kuqezi.

Kjo është mendësia, me të cilën Milani duhet të përballojë sfidën sipas Susos. Këndvështrimin e tij 23-vjeçari e shpjegoi, duke thënë se: “Nuk duhet të na interesojë aspak se çfarë bën kundërshtari ndaj besoj se do të ishte më mirë të përqendrohemi te vetja jonë dhe detyrat që duhet të bëjmë në fushë. Nëse arrijmë të gjejmë një gol në minutat e para do të ishte diçka pozitive, por nuk duhet të na shndërrohet në fiksim. Ankthi për të realizuar sa më shpejt mund të ndikonte për keq ndaj duhet shumë kujdes”.

Një fitore në Londër do të ishte diçka historike për Milanin, sidomos në kuadër të një mundësie për të gjetur Ligën e Kampioneve nëpërmjet asaj të Europës. Suso predikoi qetësi në mbyllje të konferencës, teksa deklaroi: “Ndeshja në ‘San Siro’ nuk shkoi mirë, ndaj nesër (sot) duhet të zbresim në fushë me mentalitetin e duhur dhe të kërkojmë rezultatin me një paraqitje prej skuadre të madhe. E dimë që sfida në një stadium kaq madhështor nuk do të jetë e lehtë, por duam të përpiqemi të marrim një fitore”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"