Surprizë në Maqedoninë e Veriut, Shkëndija dhe Shkupi eliminohen nga Kupa me penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2021 | 18:06

Surprizë në Maqedoninë e Veriut, Shkëndija dhe Shkupi eliminohen nga Kupa me penallti

Ndeshjet e sotme në Kupën e Maqedonisë së Veriut kanë sjellë rezultate shumë të rëndësishme pasi kanë nxjerrë nga gara dy skuadra pretendente për fitoren përfundimtare, Shkupin dhe Shkëndijën, të dyja falë penalltive.

shkendija

Shkupi po bën shumë mirë në kampionat dhe është kthyer në pretendentin kryesor edhe për fitoren e titullit kampion. Por sot në fushën e Makedonija GP, skuadra e drejtuar nga Goce Sedloski nuk ia ka dalë të gjejë rrugën e rrjetës dhe në fund, me duelin e mbyllur 0-0, u deshën gjuajtjet e penalltive për të përcaktuar se kush do të shkonte mes skuadrave në gjysmëfinale. Te Shkupi gabuan 2 nga tentativat e dyte ndërsa lojtarët e Makedonija shënuan saktësisht të 4 gjuajtjet duke shkuar në turin tjetër.

Penalltitë kanë dënuar në të njëjtën mënyrë edhe Shkëndijën, në fund të një ndeshje pa gola përballë Strugës. Dy emra të njohur si Sindri Guri e Valmir Nafiu gabuan gjuajtjet e tyre, ndërsa te Struga u realizuan 4 nga 5 gjuajtjet, me të fundit atë të Klinsman Cakes që i dha suksesin kësaj skuadre.

Edhe ndeshja tjetër e luajtur sot, mes Sileksit dhe Bregalnicës, u zgjidh me penallti pas rezultatit 1-1 me Sileksin që kaloi në katërshe. Ndeshja mes Pelisterit dhe Vardarit do të përcaktojë edhe emrin e gjysmëfinalistes së fundit në garë për fitoren e Kupës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"