Surprizë me Besëlidhjen në Kupë, futbollisti i Apolonisë nuk sheh pengesa: Nuk e lëshojmë vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 23:35

Surprizë me Besëlidhjen në Kupë, futbollisti i Apolonisë nuk sheh pengesa: Nuk e lëshojmë vendin e parë

Suksesi në Kupën e Shqipërisë është pozitivitet i radhës i Apolonisë. Këtë vit kjo skuadër mbush 95 vjet nga themelimi dhe gjer tani po i shërben më së miri “tortës së datëlindjes”. Në 5 ndeshjet e 2020-ës Apolonia ka 4 fitore dhe 1 barazim, me golavarazhin 10-1. Janë produkt i Apolonisë së rinuar këto rezultate, i një skuadre që ka ndryshuar thuajse “rrënjësisht”. “Adoleshentët e Apolonisë” kryesojnë Grupin B në Kategorinë e Parë dhe kanë kaluar në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, pasi eliminuan Luftëtarin e Superiores.

apolonia-laci

Trajneri Mërgjyshi nuk e ka fshehur kënaqësinë e suksesit, por vazhdon të tregojë kujdes ndaj një rasti të mundshëm egocentrizmi rinor të skuadrës së tij, ndaj deklaron shkurt dhe prerë: “E kaluam Luftëtarin djem, tani ‘luftojmë’ ndaj Besës për fitore dhe për të ruajtur vendin e parë”. Kampionati është objektivi kryesor i kësaj skuadre, që ngjitjen në Superiore e ka “qershizën mbi tortë” në këtë 95-vjetor.

DUDA – Luhet kundër Besës, një ekipi cilësor dhe fierakët e dinë mirë këtë faktor. Kavajasit kanë një grup me kualitet dhe një trajner me përvojë, si dhe të njëjtin objektiv si Apolonia, ndaj do të kërkojnë të ngushtojnë diferencën me fierakët. Mbrojtësi Denis Duda së pari bën një vlerësim “flash” për ecurinë e skuadrës së tij: “Kemi arritur deri këtu me shumë vështirësi, mes optimizmit dhe dyshimeve. Një situatë e trazuar që kur nuk është unike, ndikon më tepër në kahun negativ sesa pozitiv. E them këtë, sepse mosbesuesit ishin shumë të ashpër në qëndrime. Po ja ku jemi, ja ku janë rezultatet. Nuk e kam paragjykim, por ky është fakti dhe mbase zërat kundër duhet të tregoheshin më të duruar, të prisnin atë që kjo skuadër do të jepte”, thotë Duda, një ndër “veteranët” e Apolonisë, por jo nga mosha.

Duda

BESA – Për ndeshjen e radhës me Besën dhe kampionatin në vazhdim, mbrojtësi fierak shprehet: “Kualifikimi në Kupën e Shqipërisë na ka bërë mirë, është një ‘bonus’ për ndeshjen e radhës në kampionat. Besa është një skuadër e respektuar, e vetmja që ka barazuar në fushën tonë këtë sezon. Fusha asnjanëse favor për ne? Ky është gjykimi i jashtëm. Duket sikur fusha asnjanëse favorizon ekipin udhëtues, në rastin konkret ne, por për Apoloninë dhe Besën, dy rivale të denja, nuk luan shumë rol faktori fushë. Ajo që nuk duhet dyshuar, them se do të jetë një ndeshje e luftuar fort dhe ne shkojmë për fitoren e radhës në këtë transfertë. Nuk kemi ndër mend ta lëshojmë kreun që e kemi arritur me aq mund dhe me meritë të plotë”.

besa

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"