SURPRIZA / Renditja botërore e klubeve për vitin 2021, një emër i papritur është më i miri i Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 20:36

SURPRIZA / Renditja botërore e klubeve për vitin 2021, një emër i papritur është më i miri i Superiores

Cila është skuadra më e mirë shqiptare për vitin kalendarik 2021? Kësaj pyetje i ka dhënë sot përgjigje Instituti Ndërkombëtar i Statistikave të Futbollit (IFFHS), me renditjen e tij të përvitshme të klubeve më të mira.

Topi i Superiores

Shumëkush mund të mendojë se për vitin 2021, klubi më i mirë është Teuta kampione, Vllaznia që fitoi Kupën apo edhe Tirana që e ka mbyllur si kryesuese këtë vit. Por sipas kritereve të pikëzimit të IFFHS, që merr për bazë vështirësinë e kampionatit si dhe pikët e siguruara në të gjithë aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare, skuadra shqiptare që ka bërë më shumë pikë gjatë këtij vitit kalendarik është Laçi.

Skuadra kurbinase gjendet me 75 pikë, në vendin e 285-të të klasifikimit botëror për këtë vit. Një hap i rëndësishëm duke llogaritur se një vit më parë ishte në vendin e 341-të.

laci

Skuadra e dytë më e mirë shqiptare për vitin 2021 është Vllaznia, e cila me 73 pikë, renditet në vendin e 312 ne klasifikimin botëror. Edhe shkodranët kanë bërë një hap të madh, pasi një vit më parë kanë qenë në vendin e 411 në këtë renditje.

Ndërkohë, skuadra e tretë më e mirë shqiptare në këtë renditje është Partizani, me 68,5 pikë të siguruara, duke mbajtur vendin e 347 në klasifikimin botëror. Edhe të kuqtë kanë bërë një lëvizje të ndjeshme në klasifikimin e IFFHS-së, pasi një vit më parë kanë qenë në vendin e 545-të.

Sa u përket skuadrave të Superligës së Kosovës, Drita mban vendin e 305-të në klasifikim me 73,5 pikë, me Prishtinën në vendin e 343-të me 69,5 pikë. Kurse Shkupi është skuadra më e mirë nga Maqedonia e Veriut, me 62 pikë që i kanë siguruar vendin e 390 në klasifikimin botëror.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"