Surpriza për 23-vjetor, mesfushori i Kukësit: E mposhtim Tiranën, dëmtimet më shumë na vijnë prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 21:28

Surpriza për 23-vjetor, mesfushori i Kukësit: E mposhtim Tiranën, dëmtimet më shumë na vijnë prej…

Vesel Limaj ka qenë i tronditur nga tërmeti që goditi Shqipërinë, aq sa nuk kishte menduar të festonte 23-vjetorin. E megjithatë, për të ndryshuar disi atmosferën në ekip kanë menduar lojtarët, që i kishin përgatitur ditën e djeshme një surprizë. 

limaj

Një tortë për të çtensionuar situatën dhe kthyer gëzimin në kampin e verilindorëve. Mesfushori në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, rrëfen se lëkundjet e forta e kapën në gjumë dhe i shkaktuan jo pak ankth, por nuk e mohon se ndërprerja e kampionatit e ndihmoi atë dhe shokët që të rikuperoheshin plotësisht.

Kur pyetet për dëmtimet në masë që kanë pushtuar Kukësin, ai me sinqertët pohon se vijnë prej fushës sintetike ku po stërviten. Nuk kishte si të mos fliste për garën e zhvilluar në këto 13 javë dhe objektivat. Peng i ka mbetur ende ajo humbje me përmbysje që pësuan në Ballsh, ndërsa duket i bindur për fitoren me Tiranën.

Kjo ndërprerje e paparashikuar e kampionatit për shkak të fatkeqësisë natyrore, ja prishi punë apo ju ndihmoi? 

Mendoj se kjo ndërprerje e kampionatit na ka shërbyer ndjeshëm. Jo vetëm mua, por edhe disa lojtarë të tjerë që ishim të lënduar. Me këtë shtyrje, kemi pasur kohën e duhur për të marrë ngarkesa të plota fizike dhe për t’u rikuperuar. Tani mund të themi jemi të gatshëm për ndeshjen e radhës. Unë personalisht ndihem shumë më mirë.

vesel limaj

A ka ndikuar në gjendjen tuaj emocionale apo psikologjike ky tërmet që goditi Shqipërinë? 

Nuk kisha përjetuar të tillë situatë gjatë jetën sime, asnjëherë. Ndikimi në aspektin psikologjik dhe emocional është i pashmangshëm dhe kjo është normale. Ky tërmet, fatkeqësisht la me dhjetëra viktima dhe jashtëzakonisht shumë dëme. Jam më shumë se i pikëlluar, por së bashku me trajnerin dhe shokët po mundohemi ta kalojmë me pozitivitet dhe forcë këtë moment të paparë dhe paprovuar më herët.

Ku ishit kur ra tërmeti 6.5- ballësh? 

Isha në shtëpi në momentin kur ra tërmeti i fortë dhe në gjumë. Nga tronditja e madhe u zgjova, por nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Më dukej sikur isha në ëndërr. Pas lëkundjes së fortë dola menjëherë nga shtëpia dhe u takova me shokët e ekipit. Ashtu si masa, edhe ne e kaluam natën jashtë. Ishte një fenomen i mbinatyrshëm, të cilin vetëm me ndihmën e Zotit dhe natyrisht me njerëzit e afërt pranë, shokë e miq, mund ta kalosh. Por, përjetimi ishte i jashtëzakonshëm. Kishte ankth dhe frikë për jetën dhe njerëzit.

Të kalojmë pak te futbolli. Pas 13 javësh keni vetëm 21 pikë në renditje. Ju ka mbetur ndonjë peng nga ky rrugëtim? 

Pas këtyre 13 javëve, po të bësh një bilanc e kupton që janë shumë pikë të lëna rrugës dhe në shumë në ndeshje. Por në mendje kam ende transfertën në Ballsh, për mënyrën se si shkoi. Ishim në avantazh dhe u përmbysëm në një lojë, kur duhet ta kishim mbyllur më herët. Kishim shumë raste për shënim, por nuk ia dolëm. Gjithsesi ajo shkoi, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përpara. Ka ende shumë javë për t’u luajtur, duke filluar nga ndeshja e radhës.

Dhe ndeshja e radhës ju vendos përballë me një rival direkt si Tirana. Çfarë prisni nga ky 90-minutësh? 

Kemi pasur kohë të mjaftueshme ta përgatitim këtë ndeshje, pres maksimumin nga skuadra. Jemi që të gjithë koshientë që na pret një takim i vështirë. Tirana është një ekip vërtet cilësor, por ne futemi gjithnjë në fushë për të marrë trepikëshin. Ndaj as ky duel nuk bën përjashtim. Objektivi ynë mbetet i njëjti.

Shumë dëmtime gjatë këtyre kohëve te Kukësi, është rastësi apo vjen edhe prej fushës me bar sintetik që stërviteni? 

Besoj se 90% të lëndimeve vijnë nga këto fusha sintetike që stërvitemi çdo ditë. Por s’kemi ca të bëjmë, këto janë kushtet dhe duhet të përshtatemi.

E hëna ishte një ditë e veçante për Veselin, festoi 23-vjetorin. Çfarë i uroni vetes? 

Vetes i uroj të kem fat në jetë dhe të mos kem lëndime, që të stërvitem maksimalisht.

Morët ndonjë dhuratë nga ekipi? 

Shokët më kanë bërë një surprizë të lezetshme, me tortë. Por me situatën që është krijuar këto ditë dhe me panikun që na ka pushtuar, nuk e kam menduar ta festoj. Gjithmonë dhe në nder të viktimave e familjarëve të tyre. Kjo është një dhimbje e madhe që i jemi bashkangjitur të gjithë. Uroj çdo të mirë për të gjithë shqiptarët.

S. SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"