Surpriza në Madrid, ja kush mund të jetë xholi i Alegrit ndaj Realit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2018 | 16:56

Surpriza në Madrid, ja kush mund të jetë xholi i Alegrit ndaj Realit

Duglas Kosta praktikisht e ka hipotekuar një fanellë titullari në sfidën e kthimit kundër Realit të Madridit mbrëmjen e së mërkurës. Vëllai i tij “binjak” (në sensin e transferimit gjithashtu në merkaton e fundit të verës dhe për një shifër gjithashtu të njëjtë, gati 40 milionë euro), do të kërkojë një biletë për avionin që do të niset me destinacion Madridin. Fillimisht për të qenë i disponueshëm për Masimiliano Alegrin dhe më pas për të përfunduar në stolin e “Santiago Bernabeu”-t.

bernardeski higuain

Me të mënjanuar rrezikun e ndërhyrjes kirurgjikale, Federiko Bernardeski nisi punën graduale me grupin dhe duke parë mungesën e Paulo Dibalës, cilësitë e tij mund të rezultonin të rëndësishme në transfertën iberike, teksa 24- vjeçari shpreson dhe përpiqet, të paktën për të pasur një vend në stol në krah të Alegrit dhe ekipit. Ai shpreson dhe do tentojë deri në fund që të jetë për misionin e vështirë të përmbysjes së disavantazhit 3-0, vulosur në Torino nga Ronaldo me shokë.

Stërvitja – Mëngjesin e së dielës, Juventusi kreu një seancë çlodhëse stërvitore për titullarët e ndeshjes me Beneventon në Vinovo, për të rinisur me ngarkesë të plot ditën e sotme. Në Madrid, të mërkurën nuk do të jetë i disponueshëm i skualifikuari Dibala (u ndëshkua me karton të kuq në çerekfinalen e vajtjes). Por kampionëve u rikthehen titullarë Bufon, Kielini, De Shiljo, Khedira dhe Higuain, të cilët Alegri i kurseu në ndeshjen e fundit në kampionat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"