Supersfida në grup/ Spanja e përgatit Gjermaninë me… mish te Nusreti. Kuzhinieri i famshëm zbulon çfarë kishte në meny (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2022 | 9:12

Supersfida në grup/ Spanja e përgatit Gjermaninë me… mish te Nusreti. Kuzhinieri i famshëm zbulon çfarë kishte në meny (VIDEO)

Spanja ka gjetur një mënyrë krejt të veçantë për të përgatitur takimin e së dielës në Botëror përballë Gjermanisë. Lojtarët e kombëtares së drejtuar nga Luis Enrike kanë drekuar në restorantin e famshëm në Doha, “Te Nusreti” (Nusr Et). Në këtë mënyrë veç profesionit, ata kanë menduar edhe të argëtohen e të bëjnë pak turizëm kulinar, duke zgjedhur pikërisht një nga simbolet e kulinarisë në kryeqytetin e Katarit.

Collage Maker-27-Nov-2022-09.11-AM

Në drekën e mbajtur pikërisht në restorantin e famshëm kanë qenë një pjesë e madhe e lojtarëve të kombëtares spanjolle: Asensio, Buskets, Pedri, Zhordi Alba, Ansu Fati, Karvahal, Marks Jorente, Morata, Koke, Robert Sançez, Erik Garsia, Dani Olmo, Laporte, Pino, Unai Simon, Gijamon, Balde, Gavi dhe Pau Torres. Por në drekë nuk ka qenë asnjë nga pjesëtarët e stafit teknik të kombëtares spanjolle.

Me sa duket Luis Enrike ka zgjedhur të studiojë Gjermaninë. Ju nuk jeni askushi në botën e sportit nëse nuk keni një foto në restorantin tashmë të famshëm “Saltbae”, qoftë në Stamboll (Turqi), Abu Dhabi (EBA), Dubai (EBA) apo Doha (Katar). Kripa e hedhur në një mënyrë krejt të veçantë nga vetë shefi i kuzhinës, Nusret Gokten, është bërë simbol i restorantit dhe e ka kthyer vetë Nusretin nga një shef i madh kuzhine në një artist dhe influencer për pothuajse 50 milionë ndjekësit e tij në “Instagram”. Një festë e madhe iu bë edhe pilotit të Formula 1, Sebastian Fetel, me rastin e tërheqjes nga bota e automobilizmit dhe si vend u zgjodh restoranti i Nusretit, por në Abu Dabi!

NUSRETI – Vetë shefi i kuzhinës ka qenë mjaft i hapur për mediat pas drekës së lojtarëve të kombëtares spanjolle, duke treguar menynë dhe pjatat e zgjedhura prej tyre. “Ata filluan me kundërfileto, pastaj fileto viçi, biftek fiorentin dhe burger”, ka shpjeguar kuzhinieri i famshëm për mediat iberike, duke treguar mes të tjerave dhe shumëllojshmërinë mbresëlënëse të mishrave nga kuzhina e tij. “Ka qenë një barbekju. Proteina është shumë e rëndësishme për futbollistët, të gjithë e kanë provuar dhe i kanë pëlqyer. Ka qenë një plus energjie dhe fuqie për të luajtur futboll”, ka nënvizuar Nusreti.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"