Supersfida e sotme ndaj “3 Luanëve”, Mançini: Nuk ia bëj me “hile” Anglisë! Italisë i duhet një shkëndijë dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 12:56

Supersfida e sotme ndaj “3 Luanëve”, Mançini: Nuk ia bëj me “hile” Anglisë! Italisë i duhet një shkëndijë dhe…

“Diçka kjo ndeshje na e kujton…” Uembli dhe 21 korriku i vitit 2021 duken shumë larg tashmë, por përballja me Anglinë sot në një “San Siro” që i ka shitur më shumë se 40 mijë bileta, mund të jetë një shkëndijë që Italia të rindizet. Luhet për vendin e parë në Grupin A të Ligës së Kombeve dhe Mançini nuk dëshiron ta zhgënjejë publikun.

mancini

“Duhet të rigjejmë entuziazmin dhe duke parë se kundër kujt po luajmë, unë nuk mendoj se mungon dëshira për të fituar. Fitorja e Europianit është aty në palmaresin tonë, por ama tani po kalojmë një periudhë të komplikuar. Megjithatë, nuk mund të qëndrojmë duke e mbajtur kokën pas edhe duke pyetur: ku gabuam? Çfarë nuk shkon? Etj…

Duhet të mendojmë se si të gjejmë zgjidhje dhe unë kam besim, sepse ia kemi dalë mbanë edhe në të shkuarën të kalojmë vështirësitë. Jam i bindur se kjo skuadër ka shpirtin e duhur dhe djemtë e dinë se çfarë duhet të bëjnë në një ndeshje si kjo”, tha Mançini dje në konferencën për shtyp.

SISTEMI I LOJËS

Mes shumë mungesave dhe ndonjë të përjashtuari për zgjedhje teknike, Mançini i ka sqaruar drejt gjërat, pa shumë zbukurime. “Dëshira për të ardhur në kombëtare duhet të jetë gjithmonë dhe jo sipas stinëve…” Më tej ai ka thënë se në raste emergjencash, duke qenë se do të mungojë edhe Tonali, nuk është zgjidhje ndryshimi i sistemit të lojës. “Gjatë këtyre ditëve nuk është stërvitur fare Tonali.

Shpresoja që ta kishim të paktën për ndeshjen në Budapest, por duke parë gjendjen e tij nuk donim të rrezikonim.

Skema? Diskutohet kaq shumë kjo gjë, por nuk mendoj se po të kalojmë në modulin 3-5-2 do të ishte një zgjidhje ideale.

Natyrisht, skema mund të ndryshojë gjatë një ndeshjeje, ose edhe për një periudhë të caktuar, por duke iu përshtatur cilësive të lojtarëve.

E rëndësishme për mua është që skuadra të ketë besim se do ta fitojë një ndeshje. Elementi i dytë, gjithashtu thelbësor, është që Italia duhet të ketë kontrollin e lojës në çdo ndeshje dhe të mos zhbalancohet gjatë të papriturave që ndodhin për 90 minuta. Por nuk e përjashtoj ndryshimin e skemës, thjesht po them që nuk është zgjidhja përfundimtare”, u shpreh ai.

ELOZHE ANGLEZËVE

Me siguri në të dyja sistemet që mund të përdorë Mançini, Galjardini mund të jetë i vlefshëm. “Do të doja ta kisha thirrur edhe më parë, por kishte gjithnjë ndonjë problem fizik.

Kam kërkuar një sulmues të majtë, por nuk ka shumë në qarkullim. Ndërkohë, ai mund të përshtatet shumë mirë në lojën tonë”, tha trajneri i Italisë. Më pas ai i ka thurur elozhe edhe Anglisë: “Me siguri që fizikisht janë shumë më mirë tani sesa në qershor.

Në fund të sezonit ata janë shumë të lodhur për shkak se luajnë më shumë ndeshje. Janë padyshim një nga skuadrat më të forta në botë, plot me talente dhe në sulm shumë të rrezikshëm. Do të na duhet edhe ndihma e ‘San Siro’-s për t’i mundur”, tha ai. Kur i kujtojnë se në ndeshjen e fundit të luajtur në Milano është vërshëllyer Donaruma, Mançini përgjigjet:

“Futbolli është edhe emocion dhe ndonjëherë një tifoz të vërshëllen edhe sepse ndihet i tradhtuar.

Kjo qëndron. Ajo ndodhi edhe sepse Donarumën e kanë dashur jashtë mase te Milani dhe më pas ajo dashuri u kthye në urrejtje, për shkak se u përkthye si një tradhti. Por nëse tifozët tanë do ta mbështesnin atë në ndeshjen e sotme, mendoj se do ta ndihmonin shumë kombëtaren e tyre”, përfundoi trajneri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"