Supersfida Apolonia-Bylis/ Kanarsa, thirrje tifozëve: Ejani të mposhtim ballshiotët; Beqiri: Llogaritë i kemi me trepikësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2022 | 13:35

Supersfida Apolonia-Bylis/ Kanarsa, thirrje tifozëve: Ejani të mposhtim ballshiotët; Beqiri: Llogaritë i kemi me trepikësh

Apolonia-Bylis është kryendeshja e javës së 24-t në Kategorinë e parë dhe të dyja ekipet vijnë në derbi me synim për të marrë fitore me aromë Superiore.

kanarsa

Miqtë kërkojnë blindimin e vendit të parë, ndërsa fierakët për ta synuar elitën përmes ndeshjeve “play off”. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, trajneri italian Juri Kanarsa deklaron se humbja e fundit në Lezhë i uli me këmbë në tokë fierakët dhe i bëri të mendojnë që ende nuk janë në më të mirën e tyre.

Apolonia në pesë ndeshjet e fundit ka dy humbje dhe tri fitore…

Mund të ishim edhe më mirë dhe jo gjithmonë kemi marrë rezultatin e dëshiruar. Në renditje ende nuk jemi të sigurt për një vend në “play off”. Humbja në Lezhë na uli me këmbë në tokë dhe na bëri të mendojmë, që ende nuk jemi në më të mirën tonë. Por, nuk mund ta mohojmë se ekipi e ka shtuar intensitetin në lojë nga fillimi në fund.

Ka vend për përmirësim dhe e dimë se në javët e ardhshme vendosim sezonin tonë. U kam thënë djemve se në humbje dhe në fitore jemi të gjithë bashkë sepse vetëm kështu ecim si grup dhe arrijmë qëllimet tona.

Pse ekipi has vështirësi në ndeshjet jashtë fushe?

Më së shumti vuajmë presionin e kundërshtarit dhe rrjedhimisht kemi vështirësi të dalim në lojën tonë. Kemi lojtarë me moshë të re, të cilët nuk kanë eksperiencën e duhur. Kategoria e Parë është një kampionat i vështirë, ku çdo ekip të hap probleme dhe asnjë ndeshje nuk mund të konsiderohet e lehtë. Në Lezhë, goli i pësuar në pjesën e parë vendosi fatin e sfidës. Reagimi pas golit nuk ishte i menjëhershëm, madje u goditëm psikologjikisht.

Sa besoni te rezultati pozitiv kundër Bylisit kryesues në shtëpi?

Sfidë shumë e rëndësishme dhe kemi punuar që të përballemi denjësisht me kryesuesit. Apolonia e ka marrë seriozisht si çdo takim tjetër dhe do të hyjmë në fushë për ta fituar. Plusi i madh është se takimin e luajmë në fushën tonë dhe trepikëshi është detyrim për vazhdimësinë në kampionat.

Kjo ndeshje premton spektakël dhe u bëj thirrje tifozëve fierakë ta mbështesin ekipin e tyre në këto javë të mbetura të kampionatit, sidomos në shtëpi. Do e kemi më të lehtë me praninë e tyre në stadium.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

Bylisi nuk ka kohë për të humbur dhe fitorja me Vorën kërkohet që të pasohet me suksesin e radhës, ku prej ditësh puna është përqendruar te derbi i së dielës me Apoloninë në Fier. Ballshiotët u rikthyen sërish të vetëm në krye dhe synojnë që të mos e lëshojnë deri në fund.

Jeton Beqiri

Trajneri Jeton Beqiri është i bindur se ekipi është gati që të kërkojë më të mirën në Fier edhe pse do të jetë një sfidë delikate. Kreu i pankinës mallakastriotë për “Panorama Sport” fillimisht u shpreh për pragderbin me Apoloninë: “Ekipet tashmë bëjnë llogari dhe këtu fus edhe kundërshtarin e radhës, Apoloninë.

Nuk është si sfidat e tjera, por ka të njëjtën rëndësi edhe pse është derbi. Për ne është një takim që duhet ta interpretojmë më së miri, sepse kundërshtari është ndryshe në këtë pjesë të dytë të kampionatit, ka rritje në treguesit e vet. Bylisi do të udhëtojmë për të dhënë më të mirën, në një ndeshje që e parashikoj të bukur, sepse luajnë dy ekipe që po i japin tonin kampionatit. Skuadra është dhe shpresoj që të kemi edhe fatin me vete, që realisht na ka munguar në disa sfida”.

ECURIA – Më tej, trajneri Jeton Beqiri shton se sfida e radhës është pika më nevralgjike e sezonit dhe vendimtare në lidhje me objektivat që kanë skuadrat. “Janë edhe shtatë finale për ne, kështu që duhet që të vlerësojmë çdo ekip e të bëjmë mirë llogaritë tona. Uroj që në Fier të jetë një ndeshje e bukur dhe ‘Fair Play’ e të fitojë skuadra më e mirë në fushën e lojës. I kemi marrë masat që ta përballojmë më së miri këtë takim dhe shpresoj që me këtë ecuri të vazhdojmë deri në fundin e sezonit”, u shpreh trajneri i Bylisit, Jeton Beqiri.

ERJON SALIU – PANORAMSPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"