Superliga nën diktatin e kryeqytetit. Tirana shkërmoq Barletin, Partizani vuan ndaj Kamzës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2017 | 12:25

Superliga nën diktatin e kryeqytetit. Tirana shkërmoq Barletin, Partizani vuan ndaj Kamzës

Në kampionatin e basketbollit për meshkuj ka nisur faza e dytë me ndeshjet e luajtura në kryeqytet. Partizani ka arritur të marrë një fitore në limitin e ndeshjes, ndërsa Tirana ka shkërmoqur Barletin. Me këto fitore, këto dy skuadra tashmë janë ngjitur në krye me pikë të barabarta, por duke qenë se Partizani ka fituar takimin direkt me Tiranën, mban kreun. Takimi tjetër i kësaj jave do të luhet sot në Durrës ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë.

tirana basket

Në ndeshjen e luajtur në “Asllan Rusi”, skuadra e Partizanit, e cila drejtohet nga Arben Fagu, e ka pasur mjaft të vështirë kundër kamzalinjve që drejtohen nga Adem Muhametaj. Ka qenë një pikë në fund të takimit ajo që i ka dhënë fitoren. Pas një periode të parë të fituar nga ekipi i Kamzës, gjë që ishte e papritur për të kuqtë, 15-18, skuadra e “demave” ka fituar dy periodat pasuese 19-16 dhe 16-15.

Në periodën e fundit ka pasur ekuilibër të plotë, ku të dyja skuadrat e kanë mbyllur 20-20. Pas një pjese të parë 34-34, rivaliteti është rritur në pjesën e dytë. Lojtarët janë të saktë në gjuajtjet dhe në përfundimin e aksioneve. Kështu Vaqarri bën diferencën gjatë pjesës së parë, ndërsa Muhametaj, Dedaj e Coco bëhen protagonistë të Kamzës në të dytën. Te Partizani është Gjonaj që shënon dy trepikësha dhe Shahini, Gozhdari e Daliu janë koshshënuesit më të mirë.

Kështu minimalisht 70-69 Partizani mposht Kamzën e fortë. Në takimin tjetër, i cili u luajt në palestrën “Farie Hoti” ndërmjet Tiranës dhe Barletit Eagles, kryeqytetasit bardheblu janë treguar të pamëshirshëm, teksa kanë shënuar plot 140 pikë ku spikasin Hysenagolli, Shima e Bazit, që shënojnë pikët më të shumta.

Pasi e kanë mbyllur secilën nga periodat me 20 pikë diferencë, skuadrat shkojnë në pushimin me rezultatin e përgjithshëm 71-31. Në fraksionin e dytë, përsëri Tirana nuk kursehet, por skuadra e Barletit rivalizon duke e ulur diferencën në 5 pikë (30-25). Perioda e fundit shërben për aktivizimin e lojtarëve të rinj te Tirana dhe ajo përsëri është fituar 39-25. Kështu 140-81 mbyllet ky takim. Ndeshja tjetër ndërmjet Vllaznisë dhe Teutës do të luhet sot, në Durrës.

MELSI MALA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"