Superkupa frymëzon, Inzagi zikaltër gati për të thyer tabunë “Pioli” në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 11:50

Superkupa frymëzon, Inzagi zikaltër gati për të thyer tabunë “Pioli” në kampionat

Derbi i së dielës do të vendoset pa dyshim edhe nga zgjedhjet e bëra nga të dy trajnerët. Simone Inzagi dhe Stefano Pioli do të sfidojnë njëritjetrin nëpërmjet strategjive të ndryshme gjithmonë me qëllimin për fitoren, por që të dy e dinë mirë se nuk do të jetë e lehtë të befasojnë kundërshtarin.

pioli inzagi

Dy trajnerët janë përballur deri më tani 17 herë mes tyre, por duke u ndalur vetëm te 12 duelet në Serinë A, që në fund ndikojnë rrugëtimin e gjatë të kampionatit, Pioli gëzon një avantazh të lehtë ndaj rivalit të tij.

Bilanci në Serinë A regjistron 5 fitore për Piolin kundrejt 4 të Inzagit, ndërkohë që 3 sfida janë mbyllur në barazim.

TRAJNERËT KUNDËR SKUADRAVE – Simone Inzagi është në disavantazh edhe për sa i përket takimeve të tij direkte me Milanin në kampionat, pasi kuqezinjtë kanë arritur 7 fitore kur në stolin e kundërshtarëve në stol ka qenë 46-vjeçari, që e ka mposhtur vetëm 3 herë “Djallin”.

Po kaq herë janë ndalur në barazim duelet Inzagi-Milan, me golat e shënuar po në favor të kuqezinjve 21-18.

Nga ana tjetër, as përballjet e Piolit me Interin nuk kanë shkuar si duhet për teknikun, që ka fituar 7 ndeshje përballë zikaltërve, ndërkohë që Interi numëron 8 triumfe me 5 prej sfidave të mbyllura në barazim.

Skuadrat e 57-vjeçarit i kanë shënuar Interit 29 gola, por edhe në këtë rast zikaltrit kanë shënuar më shumë dhe e kanë ndëshkuar plot 35 herë Piolin.

precedentet

DERBI – Por duke lënë mënjanë skuadrat e tjera dhe duke konsideruar vetëm derbet e Madoninës në kampionat, Inzagi nuk ia ka dalë dot të fitojë asnjë ndeshje ndaj Piolit në këtë një sezon e gjysmë si trajner i Interit.

2 fitore për kuqezinjtë dhe një barazim kanë qenë verdiktet e deritanishme të Serisë A mes dy trajnerëve, ndërkohë që të dielën do të plotësohet tabloja me derbin e fundit të këtij sezoni në Serinë A.

Vërtet Iznagi nuk ka fituar asnjëherë në stolin zikaltër ndaj Milanit të Piolit, por Superkupa e pak ditëve më parë dhe finalja e mbërritur vjet në Kupë pas një fitoreje dhe një barazimi me kuqezinjtë në gjysmëfinale, janë frymëzime të mjaftueshme për Inzagin dhe Interin.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"