Superkupa e Shqipërisë/ Çfarë sinjalesh dhanë Teuta dhe Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2021 | 14:20

Superkupa e Shqipërisë/ Çfarë sinjalesh dhanë Teuta dhe Vllaznia

Vllaznia e konsideroi të fituar trofeun e Superkupës pa hyrë në fushë, pasi mbizotëronte mendimi unanim i kuqebluve që trofeu do të shkonte në Shkodër.

Teuta-Vllaznia Elbasan Arena

Por trofetë janë bërë për t’u fituar në fushë dhe atë e realizoi me sukses Teuta e trajnerit shkodran Edi Martini që “gjunjëzoi” Vllazninë në shifrat 3-0.

Ky është trofeu i katërt radhazi për durrsakët në kuadrin e dy sezoneve, ky dy janë Superkupa të Shqipërisë. Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare për këtë sezon në futbollin shqiptar, njëkohësisht edhe e para nën mbikëqyrjen e sistemit VAR

TEUTA:

-Rikthimi i Sherif Kallakut, madje edhe si kapiten, duke si një garanci për të mbushur “gropën” që la largimi i golashënuesit më të mirë të sezonit të shkuar, Dejvi Bregu.

-Teuta ka pësuar ndryshime të mëdha, kryesisht në fazën mbrojtëse. Portieri Qirko dhe dyshja e qendrës, Selmani-Ivanoviç, edhe pse kanë pak ditë në ekip, shikohen në rrugën e duhur për të mos u ndier largimi i treshes kampione Frashëri-Arapi-Hoxha. Grinta e dyshes së mesfushës, Aleksi-Daja, u konfirmua sërish në nivel të lartë.

-Durrsakët kanë vuajtur në sezonin e shkuar në fazën sulmuese, por ndaj Vllaznisë pati shkëndija pozitive, ku Sebino Plaku mbetet ende një “goditës” i portave kundërshtare, ndërsa të rinjtë, si Gruda, janë më të pjekur dhe më besues në aftësitë e tyre.

-Teuta me trofeun e fundit dha sinjale vazhdimësie, duke bindur edhe skeptikët që tre trofetë e fituar më parë nuk kanë qenë të rastësishëm. Përpos ndryshimeve në çdo repart, durrsakët e shënuan sërish emrin si pretendent kryesor në sezonin e ri.

VLLAZNIA:

-Është e famshme shprehja shkodrane: “Mos të hyftë vetja në qejf!” Dhe pikërisht Vllaznia e pësoi nga konteksti i kësaj shprehjeje. Kuqeblutë treguan se nëse hyjnë të bindur për fitore, mund të “thyejnë kokën”. Pra, shkodranët çaluan në përgatitjen e ndeshjes.

-Skuadra shkodrane pati probleme të mëdha në mbrojtje, ku Zogoviç vuri shumë pikëpyetje me gabimet te golat. Edhe qendërmbrojtësi Fallo Dianje duket larg pritshmërive, pasi mungoi harmonizimi me Adilin në qendër. Por jo se ishin mirë edhe të tjerët, pasi edhe kapiteni Gurishta shfaqi mangësi. Luhatjet e portierit dhe kapitenit, dy nga shtyllat e skuadrës së sezonit të fundit, janë kambanë alarmi.

-Mesfusha pati probleme dhe të ardhurit, nuk ishin në startin e të larguarve. Pritet shumë nga Liridon Latifi në fazën sulmuese, jo vetëm nga rroga që përfiton, por edhe nga CVja. Ish-mesfushorit të Kombëtares i takon të marrë më shumë iniciativë.

-Sinjal pozitiv dhe një “thirrje mendjeje” për trajnerin Brdariç është forma e mirë e sulmuesit Çoba, i cili e meriton të jetë titullar, duke mos i mbivlerësuar të huajt para djalit të shtëpisë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"