Superkupa e Italisë/ Strakosha titullar, por Lacio e ka makth Juven

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2017 | 10:51

Superkupa e Italisë/ Strakosha titullar, por Lacio e ka makth Juven

Italia do të ngrejë sot në mbrëmje, në orën 20:45 siparin e sezonit 2017- 2018, i cili do të startojë me Superkupën e Italisë, e cila do të shohë përballë Juventusin kundër Lacios.

Juventus Lacio

Këto dy skuadra do të ndeshen mes tyre për të tretën herë në pesë sezonet e fundit, ndonëse si në 2013-ën, ashtu sikurse në 2015-ën, ata që dolën me trofeun në dorë ishin bardhezinjtë nga Torino, të cilët fitonin respektivisht 4-0 dhe 2-0.

Ndërsa për sa u përket finaleve në total, kjo do të jetë hera e katërt që Juve dhe Lacio luajnë për Superkupën, me precedentin tjetër, atë të 29 gushtit 1998, i cili përfundonte gjithashtu në favor të “Zonjës së Vjetër”, në stadiumin “Delle Alpi” të Torinos, 2-1.

 

FORMACIONET

Duke qenë se skuadrat janë ende në fazë përgatitore dhe në kërkim të gjetjes së balancave të lojës, por pa harruar këtu edhe zhurmën dhe shpërqendrimin që sjellin zërat e merkatos, të dy trajnerët kanë disa dyshime për formacionet e mbrëmjes së sotme.

Juventus formacioni

Te Lacio, e sigurt është prezenca në portë si titullar e shqiptarit dhe tashmë të të padiskutueshmit Thomas Strakosha, i cili është shndërruar shumë shpejt dhe me meritë në një nga liderët e kryeqytetasve.

Për sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, dyshimi i Inzagit lidhet me titullaritetin e Keitasë ose jo, për të cilin duhet të vendosë, duke parë se nga ana tjetër, ka me probleme edhe Felipe Andersonin.

Ndërsa në radhët e Juves, balotazhet më së shumti përfshijnë qendërmbrojtjen, ku si partnerë të Kielinit janë në balotazh tre të tjerët: Barzalji, Rugani e Benatia.

Lacio formacioni

Korsia e djathtë, gjithashtu një dyshim i fortë, ku nëse në mbrojtje Lihshtajner dhe De Shiljo konkurrojnë me njëri-tjetrin, edhe në mesfushë pritet një duel mes Kuadrados dhe Duglas Kostës. Për sa i përket pjesës tjetër të skuadrës, nuk priten dyshime të mëdha.

JUVJA, MAKTHI I LACIOS

Për sa i përket sfidës, padyshim që për Lacion, Juventusi përbën një makth të vërtetë. Hera e fundit që ata kanë triumfuar ndaj torinezëve, duke përfshirë të gjitha kompeticonet italiane, ka qenë 23 janari i vitit 2013, kur skuadra e drejtuar asaj kohe nga Vladimir Petkoviç mposhti Juventusin e Antonio Kontes, në gjysmë- finalet e Kupës së Italisë, 2-1 në kohën shtesë, në “Olimpiko”, pas dueli i parë në “Juventus Stadium” kishte përfunduar gjithashtu 1-1, pas 90 minutave.

Juventus

Por nga atëherë, trendi është më shumë se negativ, duke qenë se në 14 duelet që kanë pasuar, bilanci është i frikshëm: 13 suksese të Juves, 1 barazim dhe zero triumfe për bardhekaltrit. Sikur të mos mjaftonte kjo, Juventusi do të zbresë sot në fushë me sigurinë e 10 fitoreve radhazi që e kanë shoqëruar.

Por për t’i bërë edhe më të zymta shifrat e lacialëve, mendojnë golat: 31 të pësuar dhe vetëm 3 të shënuar (hera e fundit që kanë festuar një gol ndaj Juves ka qenë 746 minuta më parë)…

* Edhe për trajnerin Simone Inzagi, Juventusi është një tabu, sepse që kur ka marrë drejtimin e Lacios, bardhezinjtë janë skuadra me të cilën ai është ndeshur më shpesh, 4 herë, por i ka humbur që të katërta. Por nëse sot në mbrëmje trendi ndryshon dhe Lacio fiton, atëherë Simone Inzagi do të shndërrohet në të parin e historisë së skuadrës kryeqytetase që e fiton Superkupën e Italisë, qoftë si lojtar, ashtu sikurse trajner.

* Përveç statistikave, Lacio duhet të ruhet edhe nga Gonzalo Higuain. Bomberi i Juventusit sheh te bardhekaltrit prenë e tij të preferuar në Serinë A, ndaj të cilës ka arritur që të shënojë 13 herë, në 12 raste që është përballur. E thënë ndryshe, më shumë se 1 gol mesatarisht për ndeshje ndaj tyre, prandaj mbrojtja laciale bën mirë të marrë masat.

Strakosha

* Juventusi do të kërkojë sot që të marrë kryesimin solidar në lidhje me renditjen e sukseseve në Superkupë. Bardhezinjtë do ta luajnë këtë finale për të 13-ën herë, ndërsa me 7 sukseset aktuale ndajnë rekordin e skuadrës më fituese, së bashku me Milanin. Por sot, ata mund të kryesojnë të vetëm, në rast triumfi.

* Një tjetër statistikë kundër Lacios është ajo që lidhet me faktin se në 20 edicionet që Superkupa e Italisë është luajtur brenda kufijve italianë, në 15 raste (75 për qind e rasteve) ata që kanë fituar, kanë qenë kampionët e Italisë në fuqi.

Përjashtim kanë bërë vetëm Fiorentina në vitin 1996, Lacio në 1998, Parma në 1999, Interi në 2005 dhe Roma në vitin 2007. Ndërsa në total, nga 29 edicionet e zhvilluara, në 21 të rasteve kanë qenë sërish kampionët e Italisë që kanë triumfuar (72 për qind e rasteve).

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"