Superkupa e Anglisë / Arsenal-Çelsi “luftë” për trofeun e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2017 | 9:45

Superkupa e Anglisë / Arsenal-Çelsi “luftë” për trofeun e parë

Anglia nis sezonin e ri me trofeun e parë që do të dorëzojë sot në “Wembley”, atë të Superkupës. Kampionët e Anglisë, Çelsi, dhe ata të “FA Cup”, Arsenali, do të na dhurojnë emocionet e para të futbollit ishullor, duke nisur nga ora 15:00, në tempullin e futbollit britanik, “Wembley”.

Finalja

SKUADRAT – Venger nuk e ka vendosur ende nëse Sançez do të luajë në “Community Shield”. Sulmuesi kilian është rikthyer vetëm të martën në stërvitje pas gjendjes gripale dhe pushimeve të zgjatura për shkak të Kupës së Konfederatave. Trajneri francez pritet t’i bëjë llogaritë edhe pa Shkodran Mustafin, i cili gjithashtu luajti në Kupën e Konfederatave.

Konte dhe Venger

Ndërsa Konte do të jetë pa Diego Kostën këtë sezon, pasi i ka thënë sulmuesit spanjoll se nuk bën më pjesë në planet e skuadrës së tij. Finalja e Superkupës është shumë afër edhe për Hazardin dhe Bakajokon.

VENGER – “Për ne do të jetë një shans i mirë për të përsëritur paraqitjen e finales së Kupës FA. Çelsi duket se e ka ruajtur 95% të fizionomisë së skuadrës së sezonit të shkuar.

Arsenal formacioni

Kanë afruar Bakajokon, i cili është një lojtar shumë i fortë, një fitues i fortë i topit të parë, i ngjashëm me Nemanja Matiçin, ndoshta një lojtar që vrapon më pak, por me shumë ndikim në fushë. Sigurisht që ata do të luftojnë përsëri për titullin kampion”, tha tekniku i “topçinjve” në konferencën për shtyp.

KONTE – Ndërsa homologu i tij, Antonio Konte, tha: “Ishte një fatkeqësi që e humbëm finalen e Kupës FA kundër Arsenalit pas një sezoni me të vërtetë të shkëlqyer për ne.

 

Çelsi

Por tani kemi një tjetër ndeshje. E dimë shumë mirë se Arsenali është një ekip shumë i fortë. Ne presim një ndeshje të vështirë, por duam ta nisim sezonin mbarë. Mendoj se miqësoret kanë përfunduar për ne. Kjo është një ndeshje zyrtare dhe vendos trofeun e parë të sezonit. Pa dyshim që është një ndeshje e rëndësishme”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"