Superiorja voton Botërorin/ Tre trajnerë zgjedhin Francën, Shehi i ndarë mes katër skuadrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 21:03

Superiorja voton Botërorin/ Tre trajnerë zgjedhin Francën, Shehi i ndarë mes katër skuadrave

“Kush mendoni se do ta fitojë kampi onatin botëror dhe pse?”. Ishte kjo pyetja që “Panorama Sport” u bëri dje 10 trajnerëve që drejtojnë në elitën e futbollit shqiptar ose ndryshe Kategoria Superiore. Nëse trajneri kampion në fuqi, Orges Shehi, është disi i dyzuar mes Brazilit, Argjentinës, Gjermanisë dhe Francës, katër kolegë të tij janë të bindur se fiton kombëtarja nga vendi i Sambës. Mirëpo, për Botërorin “Katar 2022” ka edhe tre trajnerë që shohin Francën kampione, ndërsa nga një “votë” marrin Holanda dhe Anglia. Për më tepër, ja “sondazhi” që ka bërë gazeta me trajnerët e Superiores.

josa duro

ORGES SHEHI
Orges Shehi sheh si favorite katër skuadra, por pa specifikuar konkretisht se kush prej tyre do të shpallet kampione bote. “Të them të drejtën, këtë herë nuk ka fare atmosferë Botërori. Të paktën siç e përjetoj unë. Botërori është luajtur në qershor dhe ka pasur atmosferë. Evenimenti bëhet një herë në katër vite dhe ka adrenalinën dhe kënaqësinë e vet, por nuk jam specifikisht tifoz me ndonjë skuadër. Nuk e di kush fiton. Një nga superfuqitë besoj, Brazili, Argjentina, Gjermania ose Franca. Them se një nga këto skuadra e merr trofeun në fund të edicionit”, ka thënë trajneri i Tiranës.

XHOVANI KOLELA
Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, është i qartë për ekipin që do të fitojë në Katar. “Unë mendoj se Botërorin e fiton Franca, sepse është skuadra më e kompletuar e këtij kompeticioni”, ka thënë në mënyrë koncize italiani i të kuqve, i cili ndoshta e ka më të lehtë për të dhënë një mendim të sinqertë, edhe për faktin se “axurrët” e vendit të tij mbetën jashtë Botërorit për të dytin edicion radhazi.

LEXO EDHE: Kush e fiton Kupën e Botës? Katër trajnerë të Superiores zgjedhin Brazilin

SHPËTIM DURO
Trajneri i Egnatias është simpatizant i futbollit holandez dhe mendon se ky është edicioni i duhur për të fituar Kupën e Botës. Për këtë, Shpëtim Duro jep edhe arsyet që e bindin. “Mund të tregohem pak i njëanshëm, pasi simpatizoj Holandën, por kam besim absolut, sepse po më pëlqen shumë këto kohët e fundit. Me ardhjen e Luis van Galit është ndërtuar një ekip jashtëzakonisht kompakt. Nuk ka emra të mëdhenj, por funksionon shumë si skuadër. Si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues, deri në këto momente ka qenë perfekt si grup. I ndikuar disi edhe nga simpatia që kam, mendoj se këtë kampionat Botëror do ta fitojë Holanda”, është shprehur kreu i pankinës rrogozhinase.

EMILJANO ÇELA
Trajneri i Kastriotit i bën një analizë më të detajuar skuadrave favorite, ndërsa në fund shikon Francës si fitues të këtij Botërori. “Për të qenë i sinqertë, unë jam tifoz me Gjermaninë, por mendoj që nuk ka ndërtuar ekipin e duhur për t’u shpallur kampion bote këtë edicion. Moduli i lojës 4- 2-3-1 nuk është i duhuri me cilësitë e lojtarëve që ka Gjermania në përbërje. Ata kanë zgjedhur një mënyrë loje për të shkuar me shumë stacione drejt zonës së rrezikshme dhe me shumë lojtarë. Kjo ka riskun e vet, sepse kapesh i papërgatitur nga kundërsulmet, ashtu siç e pamë të ndodhte edhe me Japoninë. Mendoj se këtë Botëror do të fitoj ekipi që tregohet më cinik dhe që ka shumë shpejtësi në kapjen e thellësisë dhe zonat e rrezikshme kundërshtare. Të gjitha këto elementë i shikoj më shumë te Franca dhe për mendimin tim, ka mundësinë më të madhe për ta fituar. Gjithsesi, nuk e përjashtoj mundësinë e ndonjë surprize, sepse nuk ka më ekipe të mëdha dhe të vogla. Janë detaje shumë të vogla që do të ndajnë ndeshjet nga njëra-tjetra. Shikoj që nuk ka më diferenca taktike apo edhe teknike ndërmjet skuadrave”, deklaroi dje trajneri Emiljano Çela.

superiorja (1)

GENTJAN MEZANI
I sapoemëruar te Laçi, Gentjan Mezani, e shikon ndryshe trendin e këtij Botërori. Sipas tij, ka ardhur momenti që Anglia të jetë fituese, dhe për këtë vlonjati ka argumentet e tij. “Është pak herët për të nxjerrë konkluzione, por duke marrë parasysh që kampionati anglez është në një rritëm shumë të lartë në këto momente, mendoj që Kombëtarja e Anglisë është një pretendente kryesore këtë kampionat, pasi lojtarët janë në formën më të mirë të mundshme”, është shprehur gjatë së mërkurës për gazetën trajneri i skuadrës kurbinase.

ARIAN BELLAI
Arian Bellai “voton” për Francën kampione bote. “Mendoj se Franca është favorite për fitimin e Kupës së Botës. Ata kanë një grup të kompletuar dhe në formë të mirë. Janë kampionët në fuqi, plus kanë një trajner me shumë eksperiencë dhe e di mjaft mirë si fitohet një kompeticion i tillë. Duke analizuar formacionin dhe alternativat, shikoj që francezet janë lojtarët kryesorë në ekipet ku luajnë. Janë një grup që cilësitë e tyre përshtaten me modulin që trajneri vendos në fushë. Suksesi i këtij ekipi mendoj se do të jetë loja e shpejtë nga krahët që ata bëjnë, ku janë shumë problematikë për çdo ekip tjetër, pasi kanë lojtarët më të mirë në botë, si në aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Finalizimi është arma e fortë e tyre, pasi kanë statistika shumë të mira në shënimin e golave. Në këtë kompeticion e dimë se ai ekip që di të shënojë, në çdo lloj mënyre del fitimtar në fund”, ka thënë trajneri gjirokastrit i Bylisit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"