Superbuxheti i Partizanit, 1 pikë kushton 45 mijë euro. Në muaj shpenzohen 180 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 23:07

Superbuxheti i Partizanit, 1 pikë kushton 45 mijë euro. Në muaj shpenzohen 180 mijë euro

Partizani është klubi që ka shpenzimet më të mëdha në futbollin shqiptar. Madje, këshilltari i presidentit Demi, Luçiano Moxhi, i cili është edhe arkitekti i kësaj skuadre, ka pohuar të hënën në darkë, në studion e “Rubrika Sportive”, që shifrat janë absurde për futbollin shqiptar. “Partizani ka shpenzimet më të larta në kampionat dhe shifra ndoshta është absurde, por gjithsesi po ju them se kemi një plan të mirëfilltë bashkëpunimi në merkato në Gjermani dhe Itali. Nëse vjen ndonjë lojtar që kushton shumë, atëherë po ju them se, në fund, Partizani do të fitojë më shumë se sa ka harxhuar. Nga e gjithë kjo Partizani do të përfitojë”, u shpreh Moxhi.

partizani

Partizani i sezonit 2017-2018 ka vendosur një rekord për futbollin shqiptar, pasi nga kalkulimet e bëra del se klubi ka një buxhet afro 2 milionë euro për të mbyllur këtë edicion. Projekti italian i nisur në verë i ka rritur jashtë mase shifrat, si kurrë më parë në futbollin shqiptar. “Panorama Sport” ka mësuar se Partizani mesatarisht harxhon çdo muaj rreth 180 mijë euro për pagat e punonjësve të tij, ku bëjnë pjesë futbollistët dhe stafet e ndryshme. Ndonëse presidenca është treguar zemërgjerë dhe e pakursyer në verë, ecuria ka qenë katastrofale, pasi arritën deri në këtë pikë të sezonit nuk përligjin asnjë etapë të investimit.

Në 11 javë kampionat, Partizani ka grumbulluar 14 pikë. Nga një përllogaritje të thjeshtë matematikore, duke marrë pagesat e katër muajve dhe pikët e grumbulluara, i bie që një pikë e marrë nga ekipi i ka kushtuar 45 mijë euro klubit. Gjatë merkatos së verës një “ushtri” përforcimesh arritën te “demat”, madje ka nga ata që ende nuk u ka ardhur radha të debutojnë në kampionat. Futbollistët që nuk aktivizohen, por që mbushin tribunat i kushtojnë Partizanit rreth 60 mijë euro në muaj, shifër kjo që mund të jetë më e lartë sesa buxheti i plotë i ndonjë skuadre tjetër, që është më lart se të kuqtë në renditje.

Me hapjen e merkatos së dimrit parashikohet që pjesa dërrmuese e lojtarëve që bëjnë pjesë te grupi që nuk luajnë, apo që kanë zhgënjyer do të largohen. Në pamje të parë krijohet ideja e uljes së shpenzimeve, por duke ditur se klubi do t’i nënshtrohet një tjetër revolucioni, kostoja pritet të mbetet ende e lartë. Në dallim nga klubet e tjera, Partizani është i detyruar që të paguajë edhe veprime të tjera, pasi aktualisht i duhet të shpenzojë për fushën stërvitore, stadiumin ku luan ndeshjet si pritëse, por edhe për udhëtimin falas të tifozëve në çdo transfertë ku luan skuadra.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"