Super Ronaldo, një “gol” prej 9 ndeshjesh radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 23:43

Super Ronaldo, një “gol” prej 9 ndeshjesh radhazi

“Vesi” për të vendosur ndeshjet, thjeshtësia me të cilën bën topin të “ndihet” i sigurt mes këmbëve të tij. E djathta, e majta, goditja me kokë, sprinti… Në 12 javë të Serisë A, “leksioni” që po jep Kristiano Ronaldo bazohet te statistikat, që dalëngadalë po shkojnë jashtë normales. Duke nisur nga vazhdimësia çarmatosëse që e shoqëron nga momenti kur u zhbllokua: nga java e 4-t e kampionatit italian kundër Sasuolos, në fakt, CR7 nuk është më vëzhgues. Ka marrë për dore Juven dhe po e shoqëron në startin më të mirë të historisë.

Ronaldo

VAZHDIMËSI – Prej nëntë ndeshjesh radhazi thuajse të gjitha prekjet e tij po shndërrohen në gol: nëse shënon ai apo një shok i skuadrës, pak rëndësi ka. Kristiano merr pjesë në aksion. Deri tani në Itali numëron 8 gola e 4 asiste (plus 1 gol dhe 2 asiste në Europë), në diçka më shumë se dy muaj. Nga dopieta kundër Sasuolos tek asistet vendimtarë kundër Napolit, nga tri pikët “e vuajtura” në Empoli te firma në “San Siro” kundër Milanit: pa përdorur gjysmëterma, koha e Ronaldos “nxënës” ka përfunduar. Dhe kampionati italian është kthyer në oborrin e shtëpisë së tij, por gjithmonë me në mendje objektivin më të rëndësishëm: Champions-in.

I MUNGON… – Një numër 9 i vërtetë, edhe pse prezent në të gjitha fazat e lojës. Çfarë i mungon (gjithmonë duke konsideruar Serinë A)? Një “dopio dopio”, në stil basketbolli: CR7 nuk ka regjistruar asnjëherë gol e asist brenda të njëjtës ndeshje. Ndoshta, objektivi i radhës i “alienit” portugez.

EFEKTI RONALDO – Së bashku me Lionel Mesin, Kristiano është lojtari më i fortë i planetit dhe Juventusi po shijon momentin fantastik dhe vlerën që luzitani u shton ndeshje pas ndeshjeje. Gjatë këtyre muajve, CR7 i ka dhënë shumë markës dhe prestigjit të klubit bardhezi, që ka në listë një plan ambicioz (i zbardhur disa kohë më parë gjatë Asamblesë të mbajtur nga presidenti Andrea Anjeli) për të rritur më tej të ardhurat. Talenti portugez, megjithatë, ka dhënë kontributin e tij (thelbësor) brenda fushës.

12 ndeshje të zhvilluara në kampionat mjaftojnë për të analizuar sa Ronaldo e ka përmirësuar Juventusin. Statistika e parë që bie në sy është e goditjeve totale: nga 198 në edicionin 2017-’18 te 239 të sezonit aktual. Dhe Ronaldo si kontribut ka shtuar, madje, 88, mesatarisht më shumë se 7 për ndeshje, pra 36,8 për qind të totalit të skuadrës bardhezi. Ndërsa, e dhëna e lidhur me krosimet  tregon që gjatë kampionatit të fundit ishin 157 pas 12 javësh, ndërsa aktualisht Juvja numëron 255: totali thotë një rritje prej 62 për qind, me Kristianon që shton 22, diçka më pak se dy për ndeshje. Pra “Zonja”, me Ronaldon, nuk duhet të ketë zili nga askush.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"