Eshtë Super-Borusia, “balsamos” Arsenalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2014 | 19:52

Eshtë Super-Borusia, “balsamos” Arsenalin

dortmund_2_0_arsenal_maci_genis_ozeti_golleri_h17074Borusia e Dortmundit realizon një start ëndrrash në Champions. Nënkampionët e Gjermanisë dhuruan një mbrëmje spektakli dhe një shou të jashtëzakonshëm në tempullin e tyre të futbollit “Signal-Iduna- Park”. Super-Imobile, Super- Aubamejang! Trajneri Jurgen Klop bën çmenduri me formacionin dhe me “kolopuçët” e tij u jep leksione “topçinjve” të Vengerit duke i përcjellë ata me humbje 0-2. Sulmuesi italian, Çiro Imobile, shënon gol pas një aksioni individual nga 50 metra si dhe sulmuesi nga Gaboni, Aubamejang, “dhunon” mbrojtjen duke vulosur në 2-0. Një performancë e jashtëzakonshme, e cila bëri që milionat e Vengerit të barazohen me zero. Me këtë tripikësh, Dortmundi rezervon vendin e parë në Grupin D. Më 1 tetor luan ndaj Anderlehtit dhe më 22 tetor ndaj Gallatasarajit.
Surpriza e Klopit – Përballja e tretë në 4 vite, Klop arrin të lexojë mendjen e Vengerit shumë qartë duke ia mpirë trurin. Ai lë në stol Kagavën dhe bazohet te sistemi 4-2-3-1 me Kehl-Bender si dopiogjashtë dhe Imobile qendërsulmues. Rikthen pas 4 javësh mbrojtësin Shmelcer. Ndërsa Venger luan me 4-1-4-1 me Ozil si mesfushor i jashtëm dhe Uellkek në sulm. Kapiteni Arteta, i vetmi mesfushor difensiv, kurse Sançez në mesfushën anësore të djathtë.
Superstart i BVB-së – Dortmundi njihet për kundërsulmet dhe shkëputjet e frikshme të yjeve të tij. Imobile, “raketa” Aubamejang si dhe Groskrojc kanë bërë një kombinim perfekt sipas skemave të Klopit. Loja e tyre diagonale dhe me pasa të gjata nxori komplet jashtë loje yjet e Vengerit, të cilët nuk po merrnin dot frymë nga shpejtësia dhe ritmi i shpejt i Borusias. Deri në minutën e 44-t, vendësit e bombarduan Sheznin dhe rezultati duhej të ishte 3-0, aq sa iu mohua dhe penalltia në minutën e 5-të, por gjyqtari e mori për simulim. Për avantazhin ka menduar bomberi italian, 18.5 milionëshi Çiro Imobile në minutën e fundit të pjesës së parë, i cili merr një top nga Groskrojc dhe në një distancë prej 50 metrash driblon 3 lojtarë dhe ndëshkon supergol me të djathtën e tij. Ishte goli i tij në Champions dhe më i bukuri pa diskutim. 65 mijë tifozët duartrokisnin pa fund sulmuesin italian.
Super-Aubamejang, Ozil zhgënjen – Klop freskon formacionin në pjesën e dytë duke futur Ginter për Kehl. Teksa tifozët po zinin vend pas pauzës me birra në dorë, Aubamejang pa diskutim që i ka çmendur dhe i ka larë me birrë. Pas 180 sekondash, ishsulmuesi i Milanit merr një asist nga Groskrojc, driblon Sheznin dhe dyfishon rezultatin. Tifozët “dehen”, ndërsa Klop kërcen me stilin e tij prej “balerini”. Fitore dhe dominancë e merituar. Venger zëvendëson Ozilin dhe Ramsej për Çembërlej dhe Kazorla. Ozil vazhdon të zhgënjejë me të drejtë, pasi gjermani s’po luan në pozicionin e tij. Më pas futet dhe Podolski, por rezultati mbeti i paprekur. Porta e Sheznit u kërcënua 24 herë, ndërsa ajo e kapitenit Vaidenfeler vetëm 4 herë. Mjafton kjo statistikë që shifrat të flasin vetë.

“Jemi makinë presingu, ky është futbolli që dua”
Trajneri i Dortmundit, Jurgen Klop, ka mbetur shumë i kënaqur me rezultatin dhe me mënyrën sesi lojtarët e tij interpretuan dhe lexuan lojën. “Loja jonë bazohej te presingu dhe kundërpresingu. Këto ishin dy shtyllat bazë të filozofisë sime për këtë ndeshje, gjë e cila u arrit në mënyrë perfekte. U argëtova në maksimum falë kësaj makine presingu dhe kundërsulmi. Ky është futbolli që dua unë. Kjo ishte loja që mua më inspiron dhe gëzon jashtë mase. Ne ishim të gjallë, të freskët, të vëmendshëm, agresivë dhe shumë të shpejtë. Realizuam një superstrat në Champions. Nuk është e lehtë të mundësh Arsenalin, por ne e bëmë në mënyrën më të mirë. Ishte një fitore e merituar dhe e imponuar. Imobile? Kisha besim tek ai. Jo më kot është pjesë e Dortmundit. Ka instinkte vrasëse edhe nga 50 metra. Është një sulmues i kompletuar dhe mbi të gjitha i zgjuar”, nënvizoi strategu i nënkampionëve të Gjermanisë, Jurgen Klop.

“Gabuam, humbëm topin nga 80 metra dhe pësuam gol!”
Arsen Venger është dorëzuar pa kushte përballë homologut të tij, Jurgen Klop. Mjeshtri francez ka pranuar humbjen dhe ka komplimentuar taktikën e ndjekur nga Dortmundi. “E dija që ishte një transfertë e vështirë, por nuk e prisja të bënim kaq shumë gabime. Nëse Dortmundin e lejon të luajë, atëherë nuk të fal. Borusia ishte ekipi më i mirë në fushë. Fitoren e merituan. Në vija të përgjithshme ishte një paraqitje mjaft zhgënjyese nga ana jonë. Në disavantazhin 0-1 humbëm topin pothuajse nga 80 metra largësi nga porta jonë, por në fund ishin në numër të vogël numerik”, deklaroi Venger pas ndeshjes. Gjithashtu, ai u ka dalë në mbrojtje lojtarëve gjermanë, në veçanti Ozilit: “Loja nuk funksion vetëm prej një lojtari. Faji ishte i përgjithshëm dhe nuk kemi pse bëjmë fajtorë lojtarë të veçantë”.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"