Super Calja, 2 rekorde në kampionat. Veli numri 1 te femrat, Tirana e Partizani dominojnë në rang ekipor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2021 | 18:55

Super Calja, 2 rekorde në kampionat. Veli numri 1 te femrat, Tirana e Partizani dominojnë në rang ekipor

Për dy ditë me radhë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit u zhvillua Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes. Shtangistët e të gjitha klubeve të vendit luftuan në eventin më të rëndësishëm kombëtar, duke u rikthyer në garë pas një pauze prej gati një viti. Briken Calja tronditi edhe një herë me paraqitjen e tij të jashtëzakonshme duke konfirmuar se mbetet një kampion absolut në Shqipëri dhe një shtangist i rangut botëror.

calja

Përveçse u shpall sportisti më i mirë, Calja vendosi edhe dy rekorde kombëtare në peshat 81 kg. Kështu, ai regjistroi 158 kg në stilin e shkëputjes, në shtytje tronditi me 195 kg (rekord të ri kombëtar), duke e mbyllur dygarëshin me një tjetër rekord, 353 kg. Rezultate këto që përkthehen edhe në rekorde europiane në peshën 73 kg, aty ku Calja do të konkurrojë në eventet ndërkombëtare. Në të njëjtën kategori peshash garoi edhe Erkand Qerimaj, i cili e mbylli para kohe konkurrimin për shkak të një dëmtimi në bërryl. Në radhët e meshkujve ra në sy dominimi i skuadrës së Tiranës, me 7 kampionë. Ndërkohë, për sa u përket femrave, ishte Evengjelia Veli ajo që u zgjodh sportistja më e mirë e kampionatit. Veli tregoi edhe një herë tjetër se mbetet numri 1 në radhët e vajzave. Ajo ngriti 78 kg në shkëputje, 96 në shtytje, duke e mbyllur dygarëshin me 174 kg, në kategorinë e peshave 55 kg. Në rang ekipor për femra kampion u shpall Partizani.

briken calja

ELEZ GJOZA – Presidenti i FSHP-së u shfaq shumë i kënaqur me rezultatet dhe pjesëmarrjen në kampionat, teksa e komentoi kështu eventin e Durrësit: “Kishim një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, sidomos për vajza, ku patëm gara me një konkurrencë shumë të lartë, në të cilat u shënuan rezultate të shkëlqyera, që premtojmë një të ardhme të madhe për shtangën. Briken Calja në stilin e shkëputjes me rezultatin e arritur është një medalist i sigurt në Kampionatin Europian. Gjithashtu, kemi një sportist me vlera të mëdha si Erkand Qerimaj, i cili gjithashtu garanton medalje në Europianin e Moskës”.

tabela

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"