Sulmuesit në “gjumë”/ Partizani ka “fikur” motorët, ja sa pikë kanë humbur të kuqtë në fazën e tretë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2021 | 15:59

Sulmuesit në “gjumë”/ Partizani ka “fikur” motorët, ja sa pikë kanë humbur të kuqtë në fazën e tretë

Partizani ka lënë plot 11 pikë në 8 ndeshje të luajtura deri më tani në këtë fazë të tretë të Kategorisë Superiore. Janë shumë për një skuadër që synon titullin kampion, por për fat të mirë edhe ekipet rivale kanë gabuar.

broja partizani

Në 24 pikë që kanë qenë në lojë në këtë fazë, Partizani ka marrë 13, një ecuri aspak e mirë, sidomos në 7 ndeshjet e fundit, ku kanë vetëm një fitore.

Shumicën e pikëve, “demat” i kanë marrë në dy ndeshjet e para kundër Kukësit dhe Kastriotit, ndërsa më pas, kanë ardhur një seri rezultatesh jo të mira, e për më tepër edhe një eliminim nga Kupa e Shqipërisë, ku u mposhtën nga Laçi me penallti. Por, çfarë nuk po shkon siç duhet te skuadra e Ilir Dajës? Është e lehtë të fajësosh sulmuesit kur ekipi nuk fiton, por nuk mund të shmanget kjo gjë.

Partizani stervitje

THATËSIRA – Çinari nuk shënon që nga sfida kundër Laçit në shkurt për kampionat, ndërsa Asani është në thatësirë prej 8 sfidash. Kurse Stenio Zhunior ka shënuar vetëm një gol që pas transferimit të tij në janar.

Sa i takon një tjetër lojtari që ka luajtur shpesh në sulm, Kordeiro Melos, ende po pret që të gjejë rrugën e rrjetës, pasi goli po i mungon gjatë gjithë sezonit. Shumë gola kanë ardhur nga repartet e tjera të fushës, me Bardhin që ka shënuar 5 gola e me dy qendërmbrojtësit, Belica e Bitri, që kanë shënuar tri herë. Daja e ka konstatuar që i mungon një sulmues goli dhe duket se ky është problemi real i “demave të kuq”, që po vuajnë edhe në rezultate tashmë.

PARTIZANI LOGO

SULMI MË I MIRË – Është e vërtetë, Partizani është sulmi më i mirë në Superiore me 34 gola të shënuar, por ekipet e tjera po i afrohen frikshëm. Laçi (33), Kukësi (32) dhe Tirana (31) po u afrohen “demave” dhe shumë shpejt, Partizani mund ta humbasë dhe fronin sa i takon ekipit me sulmin më të mirë në Superiore.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"