Sulmuesi si bankë për Kukësin, sjell shumën e majme nëse largohet nga verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2022 | 14:47


Sulmuesi si bankë për Kukësin, sjell shumën e majme nëse largohet nga verilindorët

Kukësi i së ardhmes është një mister. Thuhet kështu, pasi në skuadër pritet të ndodhin shumë ndryshime, teksa në ekip ka pasur disa largime dhe të tjerët duket se janë me “valixhe në dorë”.

KUKESI

Deri më tani nga ekipi janë larguar plot pesë lojtarë, disa prej të cilëve ishin pjesë e rëndësishme e skuadrës së këtij sezoni. Fillimisht u larguan dy elbasanasit, Ardit Hila dhe Emiljano Musta, me të cilët klubi ra dakord për të ndërprerë marrëveshjen në mes. Për t’u pasuar më pas edhe nga spanjolli Pablo de Lukas, mbrojtësi Kristi Marku dhe portieri Dashamir Xhika.

Të tre këtyre futbollistëve u mbaroi kontrata dhe palët nuk u ulën për të gjetur gjuhën për një tjetër rinovim. Një tjetër futbollist që ka dalë i lirë pas mbylljes së sezonit është edhe sulmuesi Vasil Shkurtajt dhe mbetet për t’u parë nëse palët do të ulen sërish në bisedime për një rinovim kontrate ose jo.

Megjithatë, sipas burimeve të gazetës, duket se lojtari me klubin është më shumë larg sesa afër. Futbollist i lirë ka dalë edhe kapiteni Gjelbrim Taipi, i cili sezonet e fundit ka qenë lideri i skuadrës dhe një pikë kyçe për verilindorët.

Për momentin mbetet për t’u parë oferta që do t’i bëjë klubi, në mënyrë që të mos e lërë të largohet në një tjetër skuadrës, pasi mësohet se mesfushori është ndër më të lakuarit në merkato.

FEIZHAO

FEIZHAO – Një tjetër futbollist që mund të ndërpresë rrugët me verilindorët është braziliani Vitor Feizhao.

Për të ka shfaqur interes skuadra bjelloruse e Shakhtar Soligorsk dhe palët janë shumë afër arritjes së marrëveshjes.

Nga ky transferim pritet të përfitojë edhe skuadra verilindore, sepse braziliani është nën kontratë me klubin edhe për një sezon dhe nuk mund të largohet.

Mësohet se nëse arrihet akordi, verilindorët mund të arkëtojnë deri në 200 mijë euro, duke bërë që Feizhao të bëhet shpëtimtari për “gropën” financiare të këtij sezoni nga mospjesëmarrja në Europë.

Ashtu si sezonin e kaluar ku u shit sulmuesi Patrik Eze për tek Al Ahli për shifrën e 150 mijë eurove, duke bërë që klubi të mbushte disi arkat dhe të ngushëllohej për mungesën në Europë.

AFRIMET – Largimet sigurisht që do të pasohen me afrime, por është ende herët që në Kukës të shohim lëvizje në hyrje. Pa u qartësuar mirë se cilët lojtarë do të qëndrojnë, nuk mund të bëhen lëvizje.

Mendohet që nga java e ardhshme do të qartësohet plotësisht edhe situata me ata që do të qëndrojnë dhe që janë pjesë e projektit të Gegës dhe vetëm më pas do të bëhen afrimet.

Burimet pohojnë se do të ngrihet një ekip pretendent dhe dëshirat e trajnerit në merkato do të plotësohen, si garancia e vetme për të pasur një sezon kompetitiv dhe konkurrues në kampionat.

Fakti që skuadra nuk është në Europë, i jep njëfarë luksi klubit dhe trajnerit që të mos nxitohen dhe të shohin mirë lojtarët që do të afrojnë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL