Sulmuesi shkodran i Teutës: Shkëmbin e njoh si rival, tani duhet t’i thërras profesor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2018 | 21:09

Sulmuesi shkodran i Teutës: Shkëmbin e njoh si rival, tani duhet t’i thërras profesor

Arsid Kruja është një ndër lojtarët më me eksperiencë te Teuta për sezonin e ri futbollistik. Sulmuesi shkodran, i afruar në janar, gradualisht arriti të kapë formacionin për t’u kthyer më pas në një lojtar të rëndësishëm për bregdetarët. Eksperienca e fituar në edicionin e kaluar do t’i shërbejë 25-vjeçarit për të treguar klasin e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani beson te një sezon i suksesshëm, ndërsa flet edhe për trajnerin Shkëmbi, që dikur e ka pasur kundërshtar.

arsid kruja

Si e vlerësoni paraqitjen tuaj në sezonin e kaluar te Teuta?

Jam i kënaqur me atë që kam treguar, sepse arrita të zë një vend në formacion dhe fitova besimin e stafit drejtues. Por, mundësitë janë edhe më të mëdha dhe premtoj se do të jap më të mirën për këtë fanellë.

Nga ju pritet shumë në edicionin e ri në Superiore, pasi tani e njihni mirë edhe ambientin. Jeni gati?

Unë jam gati për një sezon dhe më të vështirë dhe duhet pasur parasysh se luftohet deri në ndeshjen e fundit. Jam ambientuar mjaft mirë dhe këtu gjithçka është edhe më e lehtë. Kushtet janë shumë të mira dhe besoj se do bëj më të mirën këtë sezon.

Gjatë kësaj periudhe keni qenë në pushim absolut, keni punuar individualisht?

Kam qëndruar pushim për një periudhë të caktuar, pasi ishte e nevojshme, por stërvitjen nuk e kam lënë dhe kam vazhduar me ritëm të lartë për të qenë gati kur të fillojmë përgatitjet.

Ka pasur ndryshime të konsiderueshme, opinioni juaj për afrimet dhe largimet te Teuta?

Si atyre që vijnë edhe atyre që u larguan u uroj më të mirat dhe t’u ecë sa më mbarë në ekipet ku do të luajnë. Uroj që afrimet e reja të na ndihmojnë dhe t’i tregojnë vlerat e tyre, pasi në Durrës ambienti ta lejon të japësh më të mirën.

Me trajnerin Shkëmbi keni komunikuar? Si e shikoni afrimin e tij?

Tani duhet t’i them profesor Bledi, pasi deri para pak vitesh kemi qenë kundërshtarë në fushën e lojës dhe si lojtar ka qenë shembull. Shpresoj që edhe si trajner t’i tregoj vlerat e tij dhe të bëjë më të mirën.

Ku mendoni se do të arrijë kjo Teutë në sezonin 2018- 2019?

Ekipet gjithmonë në fillim kampionati kanë si synim vendet e para të klasifikimit. Unë besoj se Teuta nuk do ta diskutojë fundin e tabelës si vjet, por vetëm vendet e para dhe pse jo pjesëmarrjen në Europë.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"