Sulmuesi shënoi tripletë në kampionatin e kaluar ndaj Kukësit, Hebaj: Momenti për fitoren e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 23:47

Sulmuesi shënoi tripletë në kampionatin e kaluar ndaj Kukësit, Hebaj: Momenti për fitoren e parë

Rubin Hebaj ka shënuar tripletën e parë në karrierën e tij, pikërisht në një ndeshje ndaj Kukësit. Më 29 prill të këtij viti, në ndeshjen e vlefshme për fazën e katërt të kampionatit, ku durrsakët mundën Kukësin me shifrat 4-1 në “Niko Dovana”, sulmuesi shkodran u bë protagonist absolut me tre gola.

RUBIN HEBAJ

Ai shpreson që nesër të shënojë, por sipas tij më e rëndësishme është që të fitojë Teuta. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hebaj foli për momentin që po kalon ekipi pas dy barazimeve radhazi, por gjithashtu ndeshjen e nesërme.

Rubin, dy barazime radhazi dhe ende pa një fitore në kampionat. A është gati Teuta për duelin ndaj Kukësit?

Po, mendoj se kemi nxjerrë mësimet e duhura nga sfida e fundit me Erzenin dhe po mundohemi të jemi gati për ndeshjen që na pret me Kukësin. Duhet të kuptojmë se nuk ka ndeshje të lehta në Superligë, pasi çdo rival është i rrezikshëm. Pas një jave jo të mirë si ajo e fundit, mendoj se ka ardhur momenti të marrim tri pikët e para.

Gjatë ditëve të fundit ka pasur edhe ndryshime në staf. Tashmë kjo ndeshje e radhës merr rëndësi edhe më të madhe?

E dimë që është shumë e rëndësishme, sidomos pas rezultateve të fundit. Kemi marrë vetëm dy pikë në tri ndeshje dhe kjo sigurisht që nuk na kënaq. Megjithatë, ne si futbollistë kemi për detyrë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi. Unë mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për të bërë kthesën, duke filluar nga takimi i radhës.

Si po e përgatisni këtë ndeshje me trajnerin Shkëmbi?

Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në të dyja fazat e lojës, qoftë në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues. Normalisht që për të fituar duhen bërë gjërat e duhura gjatë 90 minutave. Personalisht jam gati të jap më të mirën bashkë me ekipin, për të shijuar fitoren.

Si Teuta dhe Kukësi vijnë në këtë ndeshje pas momenteve jo të mira. Sa jua vështirëson kjo dhe çfarë ju bën të besoni te fitorja?

Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për Teutën, jo Kukësin. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi dhe entuziazmi. Kjo na jep shpresë për ndeshjen e radhës se do të bëjmë mirë.

Fakti që jeni në fund të tabelës pas tri javëve, ju bezdis nga ana psikologjike?

Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për renditjen apo diferencën që mund të kemi me ekipet e vendeve të para. Duhet të fokusohemi si të fitojmë ndeshjet tona.

Duke parë grupin e lojtarëve që ka Teuta këtë sezon, deri ku mendoni se mund të shkojë kjo skuadër?

Qëllimi primar është përmirësimi i lojës dhe marrja e rezultateve pozitive. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë bëhen në fund të sezonit dhe atëherë do të kuptojmë se çfarë kemi arritur. Shumica e grupit të lojtarëve është nga sezoni i kaluar, kështu që e dimë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Gjithsesi, duhet të ulim kokën dhe të shkojmë te sukseset.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"