Sulmuesi në provë nuk po e bind Maganin, por do të ketë edhe një shans të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2017 | 12:57

Sulmuesi në provë nuk po e bind Maganin, por do të ketë edhe një shans të fundit

Largimi i Artur Maganit nga skuadra e Teutës ka lënë një hapësirë të madhe në majën e sulmit për ekipin durrsak. Kjo ka vënë në lëvizje stafin teknik të kryesuar nga Magani dhe drejtuesit e “djemve të detit”. Prej një jave është afruar pranë Teutës një sulmues ganez, i cili po provohet nga trajneri Gugash Magani.

Latif Amadu

Bëhet fjalë për 23-vjeçarin, Latif Amadu, i cili në sezonin e kaluar u aktivizua me Dinamo Brest në kampionatin bjellorus. Burime në klubin durrsak tregojnë se Amadu nuk e ka bindur plotësisht trajnerin Magani dhe gjasat janë që të mos i ofrohet një kontratë. Në miqësoren e fundit ndaj skuadrës italiane të Riciones, sulmuesi arriti të shënonte golin e parë në fitoren 2-0 të Teutës.

Gjithsesi, kjo nuk mjafton për të bindur Maganin, i cili mësohet se u ka shprehur rezerva drejtuesve në lidhje me cilësitë e ganezit. Gjithsesi, burime pranë skuadrës durrsake për gazetën kanë bërë më dije se Amadu do të ketë edhe një shans të fundit. Bëhet fjalë për një ndeshje testuese që do të luhet nesër sërish në Itali.

Miqësorja e radhës me një tjetër klub italian të Serisë D, pikërisht Vis Pesaro 1898, që do të luhet nesër, do të saktësojë përfundimisht të ardhmen e 23- vjeçarit nga Gana. Trajneri Magani do të shohë për herë të fundit paraqitjen e sulmuesit në ndeshjen testuese, për të vendosur se çfarë do të bëjë me të dhe nëse do t’i ofrojë atij një kontratë apo do ta largojë përfundimisht nga Teuta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"