Sulmuesi më i mirë i Superiores, rrëfehet Latif: Imitoj Ronaldon, të gjithë njerëzit këtu në Durrës…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 19:17

Sulmuesi më i mirë i Superiores, rrëfehet Latif: Imitoj Ronaldon, të gjithë njerëzit këtu në Durrës…

Europa është tani një realitet dhe jo më një ëndërr për bregdetarët që edhe përballë Kamzës ruan trendin e fitoreve dhe rezultateve pozitive. Të besuarit e Shkëmbit nuk e njohin më disfatën nga ndeshja përballë Partizanit, por nuk ka vend për eufori. Rikthehet te goli dhe Amadu Latif, i cili në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” flet për skuadrën, objektivat, marrëdhënien që ai ka me golin dhe kërkon të ecë në hapat e idhullit të tij Ronaldo.

latif

Pas një viti të vështirë sezonin e kaluar, duket se këtë sezon keni gjetur formën më të mirë. Jeni golashënuesi i kampionatit. Si ndiheni?

Unë nuk kam pasur vështirësi në vitin tim të parë, sepse kur erdha nuk isha zgjedhja e parë për trajnerin e mëparshëm, kështu shumicën e ndeshjeve unë luaja nga krahët dhe në disa raste e nisja nga stoli ndeshjet. Psikologjikisht nuk isha i lumtur dhe i qetë. Po vinte fundi i sezonit kur trajneri tjetër më dha besim dhe unë tregova aftësitë e mia dhe tregova se çfarë isha i aftë të bëja. Të shënoja 11 gola në sezonin tim të parë duke kaluar shumë peripeci, mendoj se ishte diçka e bukur dhe pozitive. Kudo që kam luajtur më parë kam bërë histori dhe në karrierën time kam luajtur edhe në klube të mëdha dhe gjithmonë kam dashur të shënoj, këtë e kam bërë që të ndihmoj sa më shumë skuadrën. Në qoftë se unë kam mbështetje dhe dashurinë e skuadrës, unë jap më të mirën time.

Si kanë shkuar këto dy sezone në qytetin e Durrësit? Jeni përshtatur dhe si e kaloni kohën e lirë?

Durrësi tani është si një shtëpi e dytë për mua, jam ambientuar shumë mirë. Njerëzit këtu janë të mrekullueshëm dhe tepër mikpritës. Atmosfera është shumë e mirë dhe kjo më ndihmoi të përshtatem shumë shpejt. Në kohën time të lirë unë pushoj shumë e gjithashtu trajnohem shumë individualisht, pasi idhulli im është Kristiano Ronaldo. Ai e bën diçka të tillë, duke u stërvitur shumë dhe duke kërkuar maksimumin nga vetja e tij dhe këtë gjë dua të bëj dhe unë. Kjo është e vetmja rrugë për të arritur suksesin dhe dua të ndjek hapat e tij.

Tjetër fitore me përmbysje. Kaq e thjeshtë ishte përballë Kamzës?

Kundërshtari nuk na dhuroi asgjë, gjithçka e ndërtuam dhe merituam vetë. Ata janë një skuadër e mirë, ka shumë talente dhe dua të them që asnjë ndeshje këtu në kampionat nuk është e lehtë. Ne fituam për katër arsye: bashkimin, kokëfortësinë, besimin dhe me pak fat nga Zoti sepse asnjë klub në botë nuk mund të fitojë një ndeshje ashtu siç e ka menduar apo duke bërë pikërisht ato gjëra që ne duam.

Bashkëpunimi me Prognin në sulmin e Teutës si po shkon?

Progni është si një vëlla për mua. Të gjithë janë kështu për mua te Teuta. Jemi të bashkuar, e duam dhe e mbështesim njëri-tjetrin si brenda fushës dhe jashtë saj. Jemi një familje e madhe.

E morët në krah Prognin pas golit, pse ky festim?

Unë e mora në krah për t’iu treguar të gjithëve se jemi një familje e madhe, e vlerësojmë njëri-tjetrin. Jemi të lumtur që fituam dhe morëm tri pikët e radhës dhe nuk është e rëndësishme shumë kush shënoi, gjithkush është i rëndësishëm këtu.

Tani jeni në vendin e katërt. Ndeshja e radhës është përballë Kukësit…

Çdo kundërshtar në kampionat është i fortë dhe jo vetëm Kukësi. Por kur ti beson në aftësitë e tua dhe je i vendosur për të arritur diçka, punon shumë, e vlerëson kundërshtarin me seriozitet dhe lojën në grup, siç ne bëjmë, atëherë asgjë nuk mund të ndodhë tjetër, veçse të fitojmë dhe të marrim rezultatet pozitive. Kështu kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë, jo vetëm me Kukësin, por me çdo kundërshtar.

U rikthyet te goli. Deri tani keni realizuar tetë gola, sa mendoni se do shënoni deri në fund?

Nuk mund të them se sa gola mund të shënoj sepse është diçka që nuk mund ta parashikosh, por unë do të vazhdoj të jap më të mirën time dhe të zbatoj urdhrat e trajnerit Shkëmbi. Për çdo gol që unë kam shënuar dhe do të shënoj do të falënderoj Zotin. Shpresoj të shënoj më shumë se sezoni i kaluar.

A mendoni se skuadra e ka potencialin e duhur për të arritur në zonën europiane?

Unë besoj shumë që të realizojmë objektivin tonë të përbashkët dhe jo vetëm besoj që do ta arrijmë zonën e Europës, por unë besoj akoma dhe më shumë që mund të jemi pretendentë dhe për titullin kampion nëse punojmë akoma më shumë dhe normalisht të kemi dhe pak fat. Jemi të fokusuar totalisht dhe marrim ndeshjet një pas një që të marrim maksimumin në çdo takim. Verdiktin do ta marrim në fund të sezonit dhe shpresoj të jemi aty ku duam.

Cili ka qenë për ju kundërshtari më i fortë deri tani?

Nuk mund të them një emër apo një skuadër në veçanti, pasi e theksova që në këtë kampionat çdo kundërshtar është i fortë në natyrën e tij. Çfarë mund të na thoni më shumë për futbollin shqiptar, kampionatin? Futbolli shqiptar ka kualitetin për të arritur nivelin e kampionateve të tjerë të Europës. Ka pësuar rritje, pasi nga ky kampionat kanë shkuar deri në fazën e grupeve të Europa Ligës dhe ky është një sinjal që është në rritje. Mendoj se është njësoj si Seria A, vetëm se klubet duhet të vendosin mekanizmat e duhura dhe të motivojnë lojtarët e tyre që të rrisin akoma më shumë këtë kampionat.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"