Sulmuesi Krasniqi ka besim: Na duhet edhe pak kohë për të qenë Skënderbeu i Dajës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 20:51

Sulmuesi Krasniqi ka besim: Na duhet edhe pak kohë për të qenë Skënderbeu i Dajës

Skënderbeu pas fitores “inextremis” ndaj Luftëtarit dhe i goditur psikologjikisht nga dëmtimi i kapitenit është përqendruar tërësisht te ndeshja e radhës me Kukësin. Ky takim vlen shumë për Skënderbeun në këtë pikë të sezonit.

blerim krasniqi

Për sulmuesin kryesor të ekipit, Blerim Krasniqi, kjo është një ndeshje e rëndësishme pasi korçarët do të shikojnë nëse do të jenë sërish në vendet e sipërme të renditjes apo duhet të mendojnë për një objektiv tjetër. Ekipi, sipas Krasniqit, është duke ardhur në formën më të mirë, por duhet ende pak kohë që Skënderbeu të funksionojë sipas parimeve të trajnerit Ilir Daja.

Fitore me vlera përballë Luftëtarit pavarësisht se vuajtët shumë…

Po, është e vërtetë, ka qenë një fitore mjaft e rëndësishme për vetë faktin se na ngjiti shumë në klasifikim. Në anën tjetër, mund të pranojmë se ishte një fitore e vuajtur, pasi kundërshtari bënte një lojë ultradefensive dhe ishte shumë e vështirë të gjeje hapësira. Gjithsesi, i rëndësishëm është fakti që kemi arritur të marrim maksimumin nga ky takim dhe tani po mendojmë për ndeshjen e radhës.

Ndeshja e radhës përballë Kukësit, a lind domosdoshmëria që Skënderbeu të ndryshojë gjithçka në fushë?

Nuk diskutohet që po. Kukësi është një prej pretendentëve kryesorë për të fituar titullin dhe si i tillë kërkon përqendrim dhe impenjim maksimal. Ne jemi të vetëdijshëm se ka për të qenë një ndeshje e fortë dhe e vështirë, por nga ana tjetër, në të tilla takime motivimi është shumë herë më i madh. Luajmë përballë tifozërisë sonë dhe e kemi detyrim që të bëjmë një paraqitje të mirë.

blerim krasniqi

Dëmtimi i Muzakës, sa i rëndë është për Skënderbeun?

Do të thosha se kemi humbur prijësin tonë. Kemi humbur kapitenin dhe lojtarin simbol të Skënderbeut në këto sezonet e fundit. Na vjen vërtet keq pasi na duhej shumë eksperienca e tij, sidomos në ndeshje të tilla. Personalisht i uroj shërim sa më të shpejtë dhe e presim në fushë, dhe së bashku të përmbyllim objektivat sezonalë që kemi.

Sulmi është ai që duket se çalon te Skënderbeu pasi nuk arrin të finalizojë shumë. Sipas jush, ku qëndron problemi?

Mendoj se për shkak të ndryshimeve që kemi pasur në këtë sezon, ne akoma nuk kemi përqafuar në masën 100% idetë e trajnerit Ilir Daja, sidomos për sa u përket mundësive tona që të funksionojmë si grup. Ende nuk njihemi mjaftueshëm me njëri-tjetrin, pasi ndryshimet janë gjithmonë pengesë. Kemi punuar mjaft për të rregulluar këto që thashë më sipër dhe për pak kohë besoj do të jemi atje ku na takon. Pavarësisht kësaj, ndryshimet kanë pjesën e vet edhe në tërësi. Skënderbeu mbi të gjitha është një ekip që të vë përgjegjësi të mëdha, për sa kohë ke veshur fanellën e këtij ekipi. Kjo bën që edhe të kesh disa presione më shumë.

Megjithatë, shterpësia e sulmuesve shqetëson apo jo?

Pa dyshim, shpresoj që shterpësia të jetë drejt fundit dhe të rifillojmë që të shënojmë për ekipin. Ajo që unë dua më shumë është që të realizoj gola decizivë për Skënderbeun, gola që të përkthehen në pikë më pas.

Në ndeshjen e fundit ju jeni detyruar të qëndroni larg zonës. A e keni pasur të vështirë përshtatjen?

E thashë edhe më sipër na duhet edhe pak kohë që të automatizojmë si duhet lëvizjet tona për të qenë në maksimum. Normal, zbres dhe kërkoj shërbim më poshtë në fushë, pasi në shumë raste në majë nuk është se furnizohem plotësisht ashtu si duhet. Por, është diçka që do të rregullohet. Ndeshja ashtu erdhi pas dëmtimit të Muzakës dhe të gjithë ishim të detyruar të lëviznim në pozicione të tjera. Besoj se e bëmë mirë dhe normalisht që duhet të sakrifikojmë për ekipin.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"