Sulmuesi i Skënderbeut “mesazh” ekipit, Krasniqi: U zhbllokova, por më duhen më shumë… pasime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 19:11

Sulmuesi i Skënderbeut “mesazh” ekipit, Krasniqi: U zhbllokova, por më duhen më shumë… pasime

Skënderbeu u rikthye te fitorja ashtu siç u zhbllokua edhe nga ngërçi sulmuesi kryesor Blerim Krasniqi.

blerim krasniqi

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, pas golit të parë, sulmuesi kavajas flet për vështirësitë që ka kaluar me mungesën e golit dhe deri te mekanizmat që duhet të funksionojnë më mirë në repartin e avancuar që ky ekip të shënojë më shumë.

Krasniqi, shënuat golin e parë sezonal me Skënderbeun në kampionat. Çfarë ndjesie ka qenë?

Gjithmonë një sulmues matet me gola dhe unë e kam vuajtur gjithmonë këtë pjesë. Jam i kënaqur pa fund, pasi është goli im i parë në këtë sezon dhe në javën e pestë arrita të zhbllokohem. Normalisht mungesa e golit më ka ndryshuar disi, por jam i kënaqur që erdhi së bashku me tri pikët për ekipin, pasi goli është diçka personale, ndërsa fitorja ka më shumë rëndësi.

Pavarësisht mungesës së golit, kemi parë një lojtar që lëviz shumë. Kjo vjen edhe për shkak të mungesës së shërbimit në vendin e duhur?

Besoj se akoma për shkak të ndryshimeve që kemi pasur në këtë sezon. Ende nuk jemi në 100% të mundësive tona të të funksionuarit si grup. Ende nuk njihemi mjaftueshëm me njëri-tjetrin, pasi ndryshimet janë gjithmonë pengesë. Kemi punuar mjaft për të rregulluar këtë aspekt dhe për pak kohë besoj do të jemi mirë atje ku na takon.

krasniqi muzaka

Megjithatë, sulmi është i pandryshuar nga një sezon më parë…

Pavarësisht kësaj, ndryshimet kanë pjesën e vet edhe në tërësi. Skënderbeu, mbi të gjitha, është një ekip që të vë përgjegjësi të mëdha për sa kohë ke veshur fanellën bardhekuqe. Kjo bën që edhe të kesh presion më shumë.

Tani që jeni zhbllokuar shpresoni te vijimësia për të mos u ndalur më?

Pa dyshim, shpresoj që shterpësia të jetë në fund dhe të rifilloj të shënoj për këtë ekip. Ajo që unë dua më shumë është që të realizoj gola decizivë për Skënderbeun, gola që të përkthehen në pikë më pas.

Po insistojmë te fakti që ju qëndroni larg zonës…

E thashë edhe më sipër, na duhet edhe pak kohë që t’i automatizojmë si duhet lëvizjet tona për të qenë në maksimum. Normal, zbres dhe kërkoj shërbim më poshtë në fushë, pasi në shumë raste në majë nuk është se furnizohem plotësisht ashtu si duhet, por është diçka që do të rregullohet.

Skënderbeu po vjen në rritje pas atyre dy javësh dështimi?

Skënderbeu objektivat gjithmonë i ka të qarta dhe mund të them se gjithmonë luan për maksimumin. Normalisht, duke pasur parasysh problemet me të cilat ne e nisëm sezonin, është normale që të kishim vështirësi në fillim. Tani jemi në ngritje e sipër dhe kemi ende shumë për të përmirësuar derisa të jemi në maksimumin tonë.

blerim krasniqi

Ndaj Vllaznisë shkoni për tri pikë apo për një pikë?

Është një ndeshje e vështirë, pasi luajmë në transfertë dhe është normale që do të kemi vështirësi, por ne gjithmonë kërkojmë dhe do të kërkojmë të marrim maksimumin. Është e rëndësishme që të hyjmë me motivin e duhur dhe të japim më të mirën në fushë.

Në 5 javë keni 9 pikë. Pak për një ekip si Skënderbeu?

Nuk mund të themi as shumë, as pak për nga mënyra se si po paraqitet ky sezon. Jemi vetëm një pikë larg nga kreu dhe kjo na bën të jemi të qetë. Pavarësisht se kemi bërë dy gabime që nuk na faleshin si ajo ndaj Bylisit në veçanti dhe më pas me Tiranën në transfertë.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"