Sulmuesi i momentit, Vanbasteni shqiptar rrëfen aventurën: Ëndrra ime të bëhem si legjenda holandeze

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 18, 2018 | 19:41

Sulmuesi i momentit, Vanbasteni shqiptar rrëfen aventurën: Ëndrra ime të bëhem si legjenda holandeze

Dinamo e ka nisur mbarë sezonin, ku në dy takimet e para kanë marrë pikë të plota, 6. Veleçiku dhe Besëlidhja ishin “pretë” e Dinamos. Trajneri Allmuça ka arritur në ndërtojë një formacion mjaft cilësor, ku në përbërje ka ingranuar futbollistë me eksperiencë dhe të rinj të talentuar. Një nga të rinjtë premtues është dhe autori i golit të dytë ndaj Besëlidhjes, Markovanbasten Çema. Ajo që tërheq vëmendjen është emri i lojtarit. Ata që e kanë adhuruar legjendën holandeze, Marko Van Basten, e kanë të lehtë ta kuptojnë se emri i sulmuesit të Dinamos është bashkimi i emrave të ish-lojtarit holandez.

marko van basten cema

Markovanbasten shqiptar

I riu është i kënaqur me golin që i shënoi Besëlidhjes dhe kërkon t’i ngjajë pikërisht Van Bastenit. “Kemi bërë një nisje të mirë, jam i kënaqur që arritëm te merrnin 6 pikë në dy ndeshje. Sa për golin tim në ndeshjen e fundit, natyrisht që më vjen mirë që arrita të shënoj. Gjithmonë ne sulmuesve na duhen golat. Pres që të vijoj me të njëjtin ritëm dhe sa herë që të më jepet mundësia do bëj maksimumin që të ndihmoj ekipin. Për golin normal që mora komente të mira, por jam me këmbë në tokë dhe kam vullnetin për të punuar sa më shumë për të qenë sa më në formë për vete dhe për ekipin.

Në ndeshjen e radhës kërkojmë që të japim maksimumin dhe të marrim më të mirën, pra 3 pikët. Pak rëndësi ka nëse luajmë ndaj Vllaznisë apo ndonjë ekipi tjetër, ne i marrim ndeshjet një e nga një, e hyjmë në fushë vetëm për fitore”, tha Markovanbasten. Ai flet edhe për emrin e veçantë që ka. “Po, është e vërtetë që emrin ma kanë vendosur për nder të legjendës Van Basten. Ai është një ndër idhujt në futboll, e nëse do mund t’i ngjaja sadopak atij në lojë, do ishte gjë e madhe.

Si çdo i ri, ëndrra ime është të luaj në Europë, por çdo gjë shkallë-shkallë. Së pari, të fitojmë ndeshjen e radhës, pastaj të mendojmë për t’u ngjitur në Superiore, e ajo të shërbejë si trampolinë për ne të rinjtë. Unë do punoj fort e do t’i ndjek këto ëndrra, pastaj dalin apo jo t’ia lëmë kohës”, përfundon 20-vjeçari shtatlartë, Markovanbasten Çema.

SKERDILAID SULOZEQI






www.minuta90.com