Sulmuesi i Lushnjës jep “recetën” e fitimit të derbit: Mungesat një hall, por e thyejmë Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 11:48

Sulmuesi i Lushnjës jep “recetën” e fitimit të derbit: Mungesat një hall, por e thyejmë Tomorin

Vilfor Hysa sheh vetëm fitore në derbi. E ka të qartë se përballë Tomorit nuk do të jetë e lehtë, e megjithatë e quan të kalueshme këtë javë. Sulmuesi beson te forca e grupit, ndonëse mungesat i quan një hall më vete. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, njeriu-asist i verdhejeshilëve analizon 90- minutëshin e së shtunës dhe ndalet tek objektivat. Tiranasi paralajmëron se ekipi është “gatuar” për të kapur kreun dhe rrjedhimisht ngjitur në mesin e më të mirëve.

vilfor-hysa

Është “nxehur” ndjeshëm derbi, prej disa ditësh në të dyja kampet flitet për fitore… Kush do të festojë në fund?

Pas dy javësh kampionat, ne përballemi me Tomorin me më shumë besim. Duhet të kalojmë atë pjesën e plogështisë në fillim dhe të shprehim të gjitha mundësitë tona. Ne do të provojmë të fitojmë. E kemi bindur veten se mund t’ia dalim. Për këtë do të jemi në fushë, për të marrë trepikëshin dhe kreun. Tomori mund të ketë fatin e Besës, pse jo? Çdo gjë mund të ndodhë…

Sa do të ndikojnë mungesat në këtë përballje?

Po. Kemi disa mungesa dhe na shqetësojnë më shumë ato në mbrojtje. Do të përballemi me mundësitë që kemi. Më bën entuziast rikthimi i Xekës, pas dëmtimit në ndeshjen e parë me Besën. Besoj se deri të shtunën do të jetë gati dhe kjo është shumë pozitive për ekipin. Duke luajtur sa më shumë përpara, rrëmben fushën.

Ju vjen keq që Lushnja nuk ka gjashtë pikë të plota dhe çfarë nuk ka shkuar si duhet në këto 180 minuta të para?

Patëm një rast në fund të shtesës me Egnatian. Me pak kujdes, mund të kishim shënuar. Mendoj se kjo është ajo që na duhet. Të shfrytëzojmë çdo rast që na jepet. Të godasim portën. Vetëm kështu shënohet dhe fitohet.

A është utopi kreu dhe ngjitja për Lushnjën?

Janë rezultatet pozitive ato që të motivojnë, që të shtyjnë përpara. Mendoj që ekipi ka nevojë të grumbullojë sa më shumë pikë. Janë vetëm shtatë kundërshtarë. Le të kalojmë me sukses këtë ndeshje, sepse nuk do të jetë e lehtë. Lushnja është një ndër pretendentet kryesore dhe pozicionimi në vendet e kreut në klasifikim është i arritshëm.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"