Sulmuesi i Kukësit: Nuk mund ta refuzoj Shqipërinë, por më parë do zgjidhja të luaja për kombëtaren e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2021 | 12:42

Sulmuesi i Kukësit: Nuk mund ta refuzoj Shqipërinë, por më parë do zgjidhja të luaja për kombëtaren e…

Patrik Eze është rik thyer me një dopietë pas gjashtë ndeshjesh shterpësi dhe i ka dhënë fitoren e qetësisë skuadrës së Kukësit, e cila largon edhe “hijet” e mbijetesës pas fitores bindëse ndaj Kastriotit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 28-vjeçari shprehet i lumtur për golat e realizuar, por tregohet altruist, duke mos menduar shumë për veten e tij, edhe pse është në krye të listë së golashënuesve. Eze kërkon të mos flitet shumë për objektiva, por deri në fund të sezonit skuadra do të përpiqet të marrë maksimumin. Kryegolashënuesi sqaron edhe kontratën e tij me verilindorët, si edhe mundësinë për të luajtur në të ardhmen për Shqipërinë, nëse do t’i vijë një ftesë, por zgjedhja e parë mbetet Nigeria.

PATRIK EZE

Eze, shënuat dy gola dhe i dhatë fitoren skuadrës. Si ndiheni?

Jam shumë i lumtur për golat, për veten time dhe për shokët e skuadrës, sepse vinim pas një ecurie me shumë rezultate negative. Jam i lumtur që unë dhe shokët e skuadrës u ringritëm në momentin e duhur dhe tani shohim lart. Nuk shoh golat personalë, por dua skuadrën që të rritet.

Patët një dedikim për golin…

Lojtari Zakari që luan në Egjipt, ka pësuar një paralizë dhe nuk mund të ecë, në finalen e Emirateve të Bashkuara Arabe e kanë thirrur për ta dorëzuar trofeun dhe festimi im shkoi për atë.

Me sa gola do të ishit i lumtur ta mbyllnit këtë sezon?

Për momentin dua të vazhdoj të ndihmoj dhe luftoj për ekipin tim, kjo është gjëja më e rëndësishme që vjen e para. Nuk ka të bëjë me qëllimet e mia personale, por kolektive.

Cili është objektivi i Kukësit, a mund të arrihet Evropa?

Ne ende besojmë se deri në fund të sezonit do të përpiqemi të marrim sa më shumë pikë dhe pastaj do të shohim se cilat do të jenë verdiktet.

Goli i Eze Kukesi logo

Në janar mund të shiteshit jashtë vendit, por klubi nuk ju lejoi. Për cilën skuadër bëhet fjalë?

Nuk u mërzita për këtë, pasi është klubi ai që vendos, ndërsa unë dua të bëj më të mirën time. Nuk kam ndonjë informacion nëse kishte “trokitur” ndonjë skuadër për mua, por në çdo rast vendos klubi, pasi kam një kontratë dhe duhet ta respektoj. Më mbetet akoma një vit nga kontrata, para se të skadojë në qershor 2022.

Çfarë ju bën më shumë përshtypje për kampionatin shqiptar?

Ajo që më bën përshtypje është cilësia e lojtarëve të rinj dhe gjithashtu ana fizike e futbollistëve. Dua të them se nuk është e lehtë të luash në këtë kampionat, sidomos si sulmues.

Keni thënë se jeni gati të luani me Shqipërinë. Pse nuk ju ka thirrur ndonjëherë Nigeria, ka një arsye?

Kur u pyeta nëse do të pranoja një thirrje nga ekipi kombëtar shqiptar, natyrisht unë thashë “po”, sepse nuk është diçka që dikush mund ta refuzojë. Por, kjo nuk do të thotë se unë nuk do të dëshiroja të luaja për vendin tim, Nigerinë. Ky është synimi im i parë dhe më vonë çdo gjë tjetër vjen pas saj.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"