Sulmuesi i dalë nga Interi lë “thatë” Dinamon, përfundon në Superligën ukrainase

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2020 | 10:16

Sulmuesi i dalë nga Interi lë “thatë” Dinamon, përfundon në Superligën ukrainase

Dinamos i ikën nga duart një “xhevahir”. Lamine N’Diaje nuk do të jetë pjesë e bluve. Senegalezi me pasaportë italiane përfundon në Ukrainë. Sulmuesi i rritur te moshat e Interit dhe Lacios ka nënshkruar për FC Lviv në Premier Ligën ukrainase, duke shuar që të gjitha shpresat e kryeqytetasve për ta zyrtarizuar si blerje në këtë merkato janari. Ishte vetë administratori Marko Pontreli që e bindi të vinte në Shqipëri. 

NDiaye-Lamine-1

Ai u vendos nën urdhrat e stafit teknik që në fund të muajit nëntor. Sulmuesi u stërvit me ekipin deri më 21 dhjetor, ndërsa një ditë më pas mori avionin për t’u kthyer në Itali. Futbollisti në fjalë mbërrinte te blutë pas një aventure me spanjollët e Marbejas. Dhe ka qenë pikërisht kontrata e prishur me këtë klub, që e ka penguar të bëhet pjesë e Dinamos.

Për të qenë më konkretë, 21-vjeçari firmosi direkt me blutë dhe klubi nxitoi që ta federonte më 7 dhjetor, pasi dëshironin ta aktivizonin që në ndeshjen kundër Tërbunit. Por kjo gjë nuk u realizua. FSHF-ja nuk e bëri dot regjistrimin në sistem, pasi 21-vjeçari kishte më pak se 6 muaj që ishte larguar në Spanjë. Dhe në këtë moment, kontrata me Dinamon u zhbë.

dinamo

 

Klubi shpresonte që lojtari i dalë nga akademia e Interit të rikthehej në Shqipëri, pasi këtë herë nuk kishin më pengesa për ta federuar. Por kjo nuk ka ndodhur. Oferta më e mirë financiare dhe mbi të gjitha liga ku do të militonte ka bërë që N’Diaje të zgjedhë ukrainasit. Kjo gjë ka mërzitur jo pak trajnerin Kamarata, por edhe drejtuesit që ishin të bindur se në dorë u kishte rënë një “yll”.

FIRMAT 

Dinamo është një ndër klubet më aktive në këtë merkato. Pas Kolgegës, Kukës, Zylyftarit e Dovidios, tashmë është prezantuar edhe një tjetër italian. Ajo që gazeta lajmëroi ekskluzivisht në numrin e të dielës, ndodhi. Mateo Ortolani ka firmosur me klubin. Sulmuesit që ka qenë pjesë e të rinjve të Milanit, i kanë mjaftuar 4 ditë që të bindë Kamaratën dhe të nënshkruajë. Por nuk është i vetmi, pasi pjesë e Dinamos është bërë edhe Elvi Bogdani. Mbrojtësi ka qenë dhe më parë pjesë e bluve, por nuk ka pasur shumë minuta. Mbas një aventure te Korabi, ai rikthehet më i pjekur. Por dje kanë firmosur zyrtarisht edhe Isiaga Kamara, Xhulio Turhani dhe Ardian Kaloshi.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"