Sulmuesi i Apolonisë mesazh Lushnjes: S’na trembni aspak, jemi më të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 22:46

Sulmuesi i Apolonisë mesazh Lushnjes: S’na trembni aspak, jemi më të fortë

Rikthimi në minifazën përgatitore ka kthyer njëherësh edhe mobilizimin tek Apolonia. Skuadra ndihet e motivuar për të kapur formën optimale dhe për të vazhduar me rezultate pozitive. Ecuria e fierakëve është mbresëlënëse fazën e tretë, ata rikuperuan pikë dhe arritën edhe vendin e parë, por barazimet e dy javëve të fundit bënë që kryesimin ta marrë Pogradeci. Gjithsesi, Apolonia është 2 pikë pas tij dhe 2 më shumë se Lushnja. Fierakët e kanë lënë kampionatin në një moment të mirë, me 7 ndeshje radhazi me rezultate pozitive: 5 fitore, 2 barazime dhe me golavarazh 15-5. Humbja e fundit i përket vitit të kaluar, më 14 dhjetor, 2-1 ndaj Lushnjës në “Roza Haxhiu”.
apolonia
Dhe është pikërisht Lushnja kundërshtari i parë pas rifillimit të kampionatit. Dy fazat e para lagunarët kanë triumfuar me 2 fitore 2-1, por ky fakt nuk i trysnon fierakët. “E treta, e vërteta” është shprehja së cilës fierakët i besojnë, teksa ndeshja do luhet në Fier, ku Apolonia është më e favorizuar. Presioni, sipas tyre, është mbi kundërshtarin, pasi vendi i tretë mbetet jashtë garës për Superligën.
Mihana
MIHANA – Është një nga talentet e dala vitet e fundit nga akademia e Apolonisë. Sulmuesi 20-vjeçar, Redon Mihana, mbetet një nga pikat e forta të formacionit të Mërgjyshit, autor i 5 golave. “Ndërprerja qe një kohë shumë e gjatë dhe ka ndikuar negativisht dhe tani po punojmë që të kompensojmë kohën e humbur. Apolonia është një nga pretendentet kryesore dhe gjithmonë ka qenë e interesuar për rifillimin e kampionatit. Jemi në momentin kulmor të sezonit dhe të gjitha ndeshjet kanë vlerën e finales. Dy javët e para do të luajmë me Lushnjën dhe Pogradecin, ku rezultatet do të përcaktojnë shumë për vazhdimësinë. Deri atëherë kemi kohë të përgatitemi dhe do të luajmë vetëm për fitore në çdo ndeshje. Së pari, të fokusohemi te Lushnja, një kundërshtar shumë i fortë, por nuk na tremb. Apolonia ka më shumë forcë dhe është më e motivuar për të fituar, aq më tepër që luajmë në fushën tonë. A ndikojnë dy humbjet e kaluara me Lushnjën? Futbolli nuk pyet për statistika, por luhet në fushë, ndaj nuk ndiejmë asnjë emocion negativ nga ato ndeshje. Mezi presim të luajmë zyrtarisht dhe të vazhdojmë bindshëm për t’i shërbyer objektivit tonë sezonal, ngjitjes në Superligë”, thotë sulmuesi i Apolonisë, Redon Mihana.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"