Sulmuesi Canka rrëfen largimin nga Tomori: Në Berat gjërat po vonoheshin, Besa më tundoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 17:30

Sulmuesi Canka rrëfen largimin nga Tomori: Në Berat gjërat po vonoheshin, Besa më tundoi

Iku Kaina Nunjesh, por te Besa janë të qetë për golat. Nexhat Bizhdili i kishte marrë masat me kohë për sulmin, derisa afroi dyshen Canka-Hoxha. Nëse për këtë të fundit ishte rikthim në shtëpi, ardhja e lushnjarit ishte një “goditje” e vërtetë në merkato.

mikel canka

Kavajasit ia rrëmbyen Tomorit golashënuesin më të mirë të Kategorisë së Parë. Por çfarë ndodhi me Mikel Cankën te beratasit dhe çfarë e bëri atë të largohej?  Këto përgjigje dhe shumë të tjera 34-vjeçari i jep enkas në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.

Pse ikët nga Tomori papritur, kishte ngërç në vonesën e firmës suaj apo çështje oferte?

Nuk është as njëra dhe as tjera. Jua kam thënë publikisht se nga Tomori u largova me mirëkuptimin e dy palëve.

Si ju joshi Besa?

Në fakt, nga Besa kam pasur oferta edhe herë të tjera. Ishte ekipi i parë që edhe në këtë merkato më bëri ofertën e vet. Dëshiroja të nisja stërvitjen sa më shpejt e në Berat gjërat po vonoheshin. Në këto kushte, gjykova të pranoja ofertën e Besës duke e njohur mjaft mirë si ekip. Po në fund të fundit nga Tomori nuk ika, kërkova mirëkuptimin për arsyet që citova më lart.

Tani që e njihni merkaton e Besës, gjykoni se është mjaftueshëm për të arritur synimin madhor: rikthimin në elitë?

Gjeta futbollistë me përvojë elite dhe që kanë shfaqur në shumë ekipe cilësitë e tyre. Pastaj, me afrimet e kryera ekipi u forcua edhe më shumë. Sipas meje, është realizuar një merkato me ide të qarta për nevojat që ka ekipi. Tani gjithçka do të varet nga sakrifica e secilit prej nesh në fushë. Me pak fjalë, grupi është dhe kam besim se mund dhe duhet të arrijmë objektivat e klubit.

Kaina ishte vjet pikë referimi e sulmit verdhezi. Pas largimit të tij te Vllaznia, a do të jetë Canka ai që do të garantojë golat?

Së pari, i uroj suksese. Kaina është një sulmues vërtet me vlera. Sigurisht që me të do të ishte më e lehtë të shënonim e t’i shërbenim njëri-tjetrit. Por mos harroni se në krahun tim tashmë do jetë Hoxha, një djalë i talentuar. Besoj se do jemi një dyshe mjaft efikase dhe vendimtare në zgjidhjen e fateve të Besës.

Që do të thotë se Canka do të jetë golashënues si kudo ku ka luajtur?

Asnjëherë nuk kam preferuar të jap numër golash si premtim. Ajo që garanton Mikel Canka, ka të bëjë me dëshirën dhe dhënien e maksimumit për të shënuar në shërbim të ekipit. Po besoj se me grupin që Besa ka, do na e lehtësojë shumë manovrën sulmuese.

Është herët për të bërë prognoza, por duke gjykuar nga merkatoja, cilat ekipe renditni si pretendente?

Përtej përgatitjeve e përbërjeve të rivalëve tanë, unë kudo ku kam luajtur më ka interesuar vetëm ekipi im. Atë kam çmuar gjithnjë si pretendent dhe atë mendoj edhe për Besën. Thjesht duhet të bëjmë punën tonë deri në fund e pastaj koha do flasë më mirë se unë.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"