Sulmuesi Canka i uritur: Lushnja meriton kreun, radhën e ka… Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 19:44

Sulmuesi Canka i uritur: Lushnja meriton kreun, radhën e ka… Elbasani

Me fitoren 2-0 ndaj Orikut, Lushnja iu rikthye kreut të renditjes, pas humbjes në Bilisht javën e 4-t të kampionatit.

lushnja

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla është tashmë 2 pikë para Apolonisë dhe Devollit, që e ndjekin në këto 5 javë. Edhe pse me mungesa të rëndësishme, lushnjarët ia dolën në stadiumin “Roza Haxhiu” të mundin një kundërshtar të fortë dhe kjo tregon se kanë edhe alternativat e duhura në stol për të pretenduar elitën.

CANKA – Sulmuesi Mikel Canka shënoi sërish, këtë herë nga pika e penalltisë. Ai ka realizuar 7 gola në 5 ndeshje, ka ndëshkuar çdo kundërshtar të Lushnjës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë shprehet: “E kisha thënë para ndeshjes se Oriku është një ekip që duhet vlerësuar për përbërjen që ka. Përqendrimi ynë në atë ndeshje ishte maksimal dhe mendoj se kemi zhvilluar një 90-minutësh mjaft të bukur. Kemi zotëruar lojën dhe kemi qarkulluar mjaft mirë topin. Kishim mundësi të shënonim edhe më shumë gola, por edhe rezultati 2-0 mirë është për ne.

Ndeshja foli për Lushnjën dhe fitorja ishte plotësisht e merituar. Goli? Canka bën detyrën, mundohem të shfrytëzoj të gjitha rastet që më krijohen, siç ishte edhe episodi i penalltisë që e fitova vetë dhe e shënova gol. Jam gjithmonë i vëmendshëm në çdo fragment të lojës. Kisha edhe dy mundësi të tjera, por kështu është futbolli, jo çdo aksion përfundon në gol. Shpresoj që në ndeshje me Elbasanin të shënoj përsëri. Ne do ta vlerësojmë Elbasanin dhe do të përgatitemi për të bërë një ndeshje të mirë, sigurisht dhe për fitore, për të ruajtur kreun”. Lushnja e ka nisur mirë këtë kampionat, duke grumbulluar 12 pikë në 5 ndeshje. Verdhejeshilët kanë 5 pikë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kryesimi i grupit është një ogur i mirë për rikthimin në Superiore.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"