Sulmuesi Atsina “ngroh” Vllazninë, trajneri Cungu i jep një shans

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 11:13

Sulmuesi Atsina “ngroh” Vllazninë, trajneri Cungu i jep një shans

Çarls Atsina pritet që të jetë afrimi i katërt i Vllaznisë. Sulmuesi, që ka mbërritur para pak ditësh për të kaluar një provë pranë ekipit, është i vetmi që deri në këto momente ka bindur stafin teknik, sidomos pas takimit miqësor të zhvilluar ndaj Kastriotit ku ganezi arriti edhe të shënojë.

Çarls Atsina

“Ndryshe nga sa është paraqitur në stërvitje, Atsina ka treguar vlera të mira. Kam dëshirë ta shoh edhe për pak ditë, nëse edhe vetë lojtari është dakord”, është shprehur Cungu. Ndërkohë që mësohet se me lojtarin dhe menaxherin e tij është rënë dakord që edhe për disa ditë ai të vijojë provën. Mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë, mund të bëjë që trajneri Cungu të vendosë pozitivisht për lojtarin, gjithmonë nëse gjatë këtyre ditëve nuk do të ketë ndonjë alternativë më të mirë.

SULMUESI

Vllaznia vazhdon të jetë në merkato për t’u përforcuar për sezonin e ardhshëm. Pas Edon Hasanit, Gilman Likës e Nuredin Orelesit, drejtuesit janë në kërkim të të tjerë lojtarëve cilësorë. Objektivi i vetëm mbetet sulmi, duke qenë se mesfusha dhe mbrojtja janë pothuajse të kompletuara.

Sa i takon portës, “gardiani” aktual Erind Selimaj ka mbetur disi pezull, duke qenë se lajmet për afrime portierësh të rinj në skuadër nuk i ka pritur mirë. Megjithatë ai ka vazhduar stërvitjen për të qenë sërish titullar sezonin e ardhshëm. Dilema tani është vetëm në gjetjen e një sulmuesi që do të vijë te Vllaznia. E vetmja zgjidhje për gjetjen e sulmuesit të duhur mbetet ajo e lojtarëve nga jashtë.

Por edhe për këta të fundit trajneri ka dilema, duke qenë se kërkon që të përforcohet me futbollistë që t’i ketë më parë në provë dhe jo të firmosin në bazë të CV-ve të tyre. Kjo, pasi lojtarët e afruar në provë me përjashtim të Atsinës nuk kanë bindur dhe për këtë arsye trajneri Cungu kërkon që të jetë i kujdesshëm me ata që do të bëjë pjesë të skuadrës.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"