Sulmues dhe mbrojtës qendre, rasti i rrallë i Paolo Ivanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 19:23

Sulmues dhe mbrojtës qendre, rasti i rrallë i Paolo Ivanit

Në futboll është i njohur termi “lojtar polivalent”, që nënkupton dikë që mbulon disa role në fushë. Janë role përgjithësisht të ngjashme, nga mbrojtës qendre në mbrojtës krahu, apo mbrojtës qendre dhe mesfushor qendre e kështu me radhë.

Ivani

Një rast vërtet i rrallë është ai i Paolo Ivanit, korçarit 22-vjeçar që luan si qendërsulmues dhe si mbrojtës qendre. Aktivizohet me Devollin këtë sezon, më parë ka veshur fanellën e Skënderbeut, Korabit, Pogradecit dhe Vllaznimit në Kosovë. Dy ndeshje ishte mbrojtës dhe të tretën sulmues dhe autor i dy golave të fitores në Elbasan. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ivani tregon historinë e tij, si e nisi dhe kush e bëri qendërmbrojtës.

Paolo, kur fillon java stërvitore, e dini në çfarë roli do luani dhe ku ndiheni më mirë?

Jo, nuk e di, por e kuptoj zakonisht nga mesi i javës. Kur bëhet ndeshja e kontrollit ose të enjten. Në sulm ndihem më mirë, sepse është normale që të shënosh është tjetër ndjesi, por nuk e kam problem të luaj edhe në mbrojtje. Kjo është diçka pozitive për një lojtar.

A ju ka rastisur që brenda një ndeshjeje t’i bëni të dyja rolet, mbrojtës dhe sulmues?

Po, më ka rastisur me Shkëndijën U-19, kur luaja me moshat. Ishte ndeshja kundër Tiranës, ku kemi fituar 2-1. Kam shënuar 2 gola dhe kur ndeshja shkoi 2-1, trajneri më ktheu në qendër të mbrojtjes. Trajner ishte Shpend Kumbarçe. Luan Pinari më ka mbështetur shumë, por në fillim si qendërmbrojtës kam luajtur me Kombëtaren U-17, me trajner Mustedanagiç. Ai më ka futur në këtë rol për herë të parë. Më mori për sulmues, por kishim nevojë për mbrojtës qendre dhe më tha të luaja në atë rol. Pranova dhe pastaj luajta në formacion në të gjitha ndeshjet.

Përvoja më e bukur nga ekipet që jeni aktivizuar deri tani?

Në Kosovë, kur luajta me Vllaznimin. Ka qenë një periudhë e mirë, pastaj pati probleme dhe u detyruam të iknim. Ishte periudhë e bukur edhe me Pogradecin.

Po me Skënderbeun, nuk ju është dhënë shansi të luani?

Kur isha pjesë e Skënderbeut për tri vite, në ekip ishin Soue, Salihi e të tjerë, ishte shumë e vështirë, por nuk më është dhënë shansi. Vetëm më çonin në huazim. Që në kohën që erdhi trajneri Shehi, vjet, kur unë kisha vitin e fundit, vendosa të ikja, sepse nuk na mbështeti më askush. Doja të luaja dhe nuk më dhanë dorë, ndaj ika te Pogradeci.

Këtë vit vendosët t’i bashkoheni Devollit…

Po, takova trajnerin Nica dhe fola me të. Ai kishte pyetur, por edhe unë i shpjegova që jam sulmues qendre dhe që kisha luajtur edhe si mbrojtës qendre. Ai më a ktivizoi dy ndeshjet e para në mbrojtje, kurse me Elbasanin na mungonte një sulmues brazilian dhe më tha të luaja unë në sulm. Nuk e dija, e kam marrë vesh ditën që ikëm në Elbasan, një ditë para ndeshjes. Edhe në Kupë me Skënderbeun isha sulmues dhe më duket se edhe në ndeshjen e radhës me Lushnjën, do luaj sulmues.

A mund të jetë një trampolinë për ju ky sezon me Devollin?

Shpresoj që po. Jam në një ekip shumë të mirë, një grup kompakt, ku nuk ka inate brenda. Luajnë të gjithë me mundësitë që kanë, vrapojnë të gjithë. Trajnerin e kemi shumë të mirë dhe stërvitjen e bëjmë në Korçë. Jemi të gjithë si vendalinj dhe rrimë në shtëpi. Kjo është diçka e mirë.

Fatjon Rupi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"