Sulmi shqetëson Maganin, Ardit Shehaj rikthehet nga pezullimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2017 | 11:09

Sulmi shqetëson Maganin, Ardit Shehaj rikthehet nga pezullimi

Teuta vijon me përgatitjet në kuadër të përballjes me Skënderbeun, që do të zhvillohet të hënën, në orën 18:00, në stadiumin “Niko Dovana”. Pas humbjeve të fundit, situata nuk është aspak pozitive te bregdetarët, me stafin teknik që kërkon ta hedhë pas krahëve këtë moment tepër negativ. Përveç gjendjes psikologjike që nuk është fort e mirë, trajnerin Gugash Magani e shqetëson edhe reparti i sulmit, i cili nuk ka e ka bërë detyrën gjatë këtyre ndeshjeve, ndonëse skuadra prodhon lojë dhe raste për gol.

Teuta, trofeu Paskuçi

Në 6 ndeshje në kampionat, “Djemtë e Detit” kanë shënuar 8 gola, por asnjë nga sulmuesit nuk e ka gjetur rrjetën. Latif Amadu, në ndeshjet e fundit është impenjuar shumë, por nuk di ta dërgojë topin në rrjetë, edhe pse ka pasur raste të volitshme në 5 takimet që është aktivizuar. Sulmuesi tjetër, që erdhi me shumë bujë Onyeka Osemene, dha disa shenja pozitive në fillim (ka grumbulluar 3 ndeshje, prej tyre dy si titullar), por më pas u “fik”, kjo për shkak edhe të kondicionit fizik.

Sulmuesi nuk është në më të mirën e tij, pasi nuk ka bërë fazë intensive përgatitore. 22-vjeçari, së fundi, po kalon edhe një dëmtim dhe gjithçka sa vjen e bëhet më e vështirë me drejtuesit që presin shumë nga ai. Deri tani, afrikanët kanë ngelur në klasë me Maganin që ka shfaqur haptazi pakënaqësitë për performancën e tyre. Me dy sulmuesit kryesorë që nuk janë efikasë përpara portës, Magani po aplikon skema nga më të ndryshmet për të mbërritur te goli.

Sa i përket mungesave, edhe kundër Skënderbeut, trajneri peqinas nuk do të ketë në dispozicion Anel Dediçin, që është dënuar nga Komisioni i Disiplinës në FSHF dhe që e shlyen dënimin në sfidën me korçarët. Ndërkohë, kthehet nga pezullimi mesfushori Ardit Shehaj. Teuta e nisi mirë kampionatin, por në katër takimet e fundit ka marrë vetëm një pikë. Edhe përballja ndaj Skënderbeut konsiderohet shumë e vështirë, por durrsakët besojnë se do arrijnë të largojnë “tersin” e këtyre javëve.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"