Sulmi më i mirë, tek Interi shënojnë të gjithë. Zikaltrit me 12 goleadorë të ndryshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 23:55

Sulmi më i mirë, tek Interi shënojnë të gjithë. Zikaltrit me 12 goleadorë të ndryshëm

Varësia nga “Lu-La” është një akt i detyrueshëm. Ndër të tjera, kur ke në dispozicion një dyshe sulmuesish që ndodhet mes 10 vendeve të para në botë, përse të mos udhëhiqesh nga klasi i tyre. Megjithatë, fitorja e vërtetë e Interit të ri të Antonio Kotes është aftësia për të shkuar përtej golave të Romelu Lukakut dhe Lautaro Martinezit, që mbeten gjithsesi një vlerë e shtuar thelbësore për ambiciet e titullit, por jo arma e vetme për të thyer mbrojtjet kundërshtare. Mirë se erdhët në laboratorin e “Appiano Gentile”-s, seli pune e fabrikës së re të golit të Serisë A.

inter 1

Konte dhe stafi i tij studiojnë natë e ditë strategji të reja për të vazhduar rritjen dhe për të befasuar rivalët. Dhe puna ka sjellë rezultate të menjëhershme, pavarësisht se nuk është ende momenti për të festuar. Shumë mund të përmirësohet dhe sistemohet, por ndërkohë (siç tha vetë Konte pas Juventusit) skuadra ka nisur të mbledhë frytet e 18 muajve pune intensive: sot zikaltrit janë sulmi më i mirë i kampionatit, falë shpërthimit të “Lu-La”-s, por edhe zgjidhjeve të reja sulmuese. Dymbëdhjetë lojtarë në gol në 18 javë, 45 gola të realizuar me vetëm tri penallti të shënuara, këtu goli është i të gjithëve.

GRUP NË RRITJE – Interi po mendon sërish si i madh sepse është përsëri në gjendje të luajë si i madh, duke menaxhuar e diktuar ritmin e ndeshjes për 90 minuta, duke qëndruar gjithmonë i përqendruar. E tregojnë përmbysjet e shumta, statistika e golave të shënuar në 30 minutat e fundit të lojës: 23, më shumë se gjysma e totalit të realizuar. Ndërkohë, Konte do të kishte hequr me dëshirë dorë nga mundësia për të parë lojtarët e tij në vuajtje dhe të detyruar të stërmundohen për të rimarrë kontrollin e ndeshjeve, diçka që ndoshta peshoi edhe te rrugëtimi zhgënjyes në Ligën e Kampioneve.

Megjithatë, aftësia për të përmbysur ndeshjet është edhe tregues i forcës fizike dhe psikologjike të grupit, asnjëherë si tani i vetëdijshëm i mundësive dhe limiteve. Limite që Konte nënvizon shpesh pas fundit të ndeshjeve: “Duhet të tregohemi më cinikë, të ‘vrasim’ ndeshjet”. Tani mbetet edhe një tabu e fundit për t’u thyer: goli i Interit nga një goditje dënimi daton në prillin e 2018-ës dhe mban firmën e Zhoao Kanselos. As afrimi gjatë vitit të fundit i artistëve të specialitetit, si Eriksen dhe Kolarov, nuk mjaftoi për të ndryshuar trendin. Por, këmbët e edukuara rikthehen vendimtare edhe për krosimet nga krahët apo goditjet këndore, ku askush në Serinë A nuk është vendimtar sa skuadra e Kontes: 10 gola me kokë, 6 të firmosur nga qendërmbrojtësit.

EKUILIBËR – Interi ka arritur të shndërrojë në pozitive edhe një të dhënë që për një “big” mund të tingëllojë si negative: zikaltrit janë skuadra që tenton më pak driblime në Serinë A, por kjo tregon se kërkohet më tepër loja e skuadrës. Rikthimi te 3-5-2 ka qenë vendimtar, me Brozoviçin e shpikur asistmen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"